Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka shfaqur besim të plotë te skuadra e tij në prag të përballjes ndaj RB Salzburg në kuadër të Champions League.
Kjo ndeshje, e cila zhvillohet të martën, konsiderohet jetike për ambiciet e PSG-së për të avancuar në fazat e eliminimit direkt.
Në një konferencë për shtyp, Enrique ka theksuar rëndësinë e këtij dueli, duke e cilësuar si një mundësi për të treguar forcën dhe përkushtimin e skuadrës. “Unë përpiqem të nxjerr më të mirën nga individi dhe skuadra. Më pëlqejnë ndeshje si ajo e nesërmja. Janë ndeshje që duhet t’i fitosh“, është shprehur ai.
Trajneri spanjoll foli edhe për vështirësitë e ndeshjve, duke theksuar se nuk ka takime të lehta as në Ligue 1 dhe as në Champions League. “Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe shpresoj që skuadra ime të mos ndikohet. Nga nëntëmbëdhjetë ose njëzet ndeshje që kam parë, më pëlqen ajo që shoh. Skuadra më jep besim“, ka thënë ai.
Enrique ka ndarë edhe një “recetë” për suksesin, duke theksuar rëndësinë e dominimit në krijimin e rasteve dhe minimizimin e gabimeve në mbrojtje. “Formula magjike është e qartë: krijo më shumë raste se kundërshtarët. Duhet të krijojmë njëzet, njëzet e pesë apo edhe tridhjetë raste, sa më shumë aq më mirë. Dhe të pranojmë sa më pak gola. Ne do të përpiqemi të përmirësohemi dhe të mbajmë lart besimin”, është shprehur trajneri spanjoll.
Burimi: botasot.info