Luftime të ashpra, teksa pushtimi rus i Ukrainës hyn në muajin e gjashtë

min lexim

Luftimet e pandërprera po vazhdojnë teksa pushtimi rus i Ukrainës hyri në muajin e gjashtë, me trupat ruse që po granatojnë pamëshirshëm në veri, jug dhe lindje.

Ka tregues se ushtria ruse, përveç mungesës së personelit, po përballet me vështirësi për zëvendësimin ose riparimin e qindra pjesëve të pajisjeve ushtarake të dëmtuara në luftime.

Forcat e armatosura ukrainase raportuan më 24 korrik për granatime të ushtrisë ruse në veri, jug dhe lindje, pasi Kievi tha se do të shtyjë përpara përpjekjet për të rimarrë territorin e humbur.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha më 25 korrik se luftime “jovendimtare” po zhvillohen në lindje dhe në rajonin e Hersonit në jug, që u pushtua nga rusët në fillim të luftës, për shkak se numri i ulët i personelit po e bënë më të vështirë për komandantët rusë që të vendosin nëse duan të forcojnë ofensivën e tyre në lindje, apo të forcojnë mbrojtjen në perëndim të Ukrainës.

Ministria shtoi se më 18 korrik, inteligjenca britanike identifikoi një ndërtesë për riparimin e automjeteve ushtarake ruse pranë Barvinokut, në rajonin Belgorod të Rusisë, që gjendet 10 kilometra larg kufirit ukrainas.

“Të paktën 300 makina të dëmtuara gjendeshin aty, përfshirë tanke, automjete të blinduara të personelit dhe kamion mbështetës”, thuhet në njoftimin ditor të inteligjencës ushtarake britanike.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se trupat ruse më 24 korrik vazhduan përpjekjet e tyre për të marrë kontrollin e termocentralit Vulehirska, që gjendet rreth 50 kilometra në verilindje të Donjeckut. Ky termocentral është i dyti për nga madhësia në Ukrainë dhe është një infrastrukturë strategjike që forcat ruse duan ta marrin nën kontroll.

Shtabi i Përgjithshëm tha se forcat ruse janë tërhequr pas një përpjekjeje tjetër të dështuar për të marrë kontrollin e këtij termocentrali.

“Armiku po humb personel, por me kokëfortësi po vazhdon përpjekjet për të marrë kontrollin e territorit të termocentralit Vulehirska”, tha Shtabi.

Shtabi i Përgjithshëm tha se forcat ukrainase po ashtu kishin zmbrapsur forcat ruse më 22 korrik, në përpjekjet e tyre për të marrë kontrollin e termocentralit.

Yuriy Ignat, zëdhënës i forcave ajrore, tha se avionët ukrainas të pajisur me raketa, kanë sulmuar tri bastione ruse, duke shkatërruar pajisje dhe duke vrarë trupa.

Duke folur për televizionin ukrainas, Ignat tha po ashtu se mbrojtja kundërajrore po funksion në mënyrë “të përsosur”, teksa raportoi se janë rrëzuar katër raketa ruse të llojit Kalibr, që ishin nisur nga Deti i Zi në drejtim të rajonit Helnitski.

Këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një adresimi në orët e vona të 24 korrikut, tha se forcat e tij po përparojnë “hap pas hapi” në rajonin e pushtuar jugor të Hersonit, që gjendet në jug të lumit Dnieper.

“Edhe pushtuesit e pranojnë se ne do të fitojmë”, tha ai, teksa tha se 28 korriku, dita e shtetësisë së Ukrainës, do të jetë festë shtetërore, që Zelensky e kishte shpallur vitin e kaluar.

“Ne dëgjojmë gjatë gjithë kohës bisedat e tyre. Ne dëgjojmë atë që ushtarët rusë u thonë të afërmve të tyre kur ata i thërrasin”, tha Zelensky.

Në Moskë, kreu i Komitetit Hetimor të Rusisë, tha se Rusia ka akuzuar 92 pjesëtarë të forcave të armatosura ukrainase për krime kundër njerëzimit.

Aleksandr Bastrykin i tha gazetës qeveritare ruse, Rossiiskaya Gazeta, se mbi 1.300 hetime penale janë iniciuar.

Afër 96 persona, përfshirë 51 komandantë të forcave të armatosura ukrainase janë në kërkim, tha ai.

Këta persona të kërkuar janë të përfshirë “në krime kundër paqes dhe sigurisë së njerëzimit”, shtoi ai.

Pretendimet e Bastrykinit nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur dhe Ukraina nuk ka komentuar.

Edhe Kievi po ashtu po kryen hetimet e tij. Autoritetet ukrainase kanë thënë më herët gjatë këtij muaji se janë duke hetuar mbi 21.000 krime të luftës dhe krime të agresionit, që pretendohet se janë kryer nga forcat ruse qëkur Moska nisi pushtimin më 24 shkurt.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka dërguar një ekip hetuesish dhe ekspertësh të mjekësisë ligjore në Ukrainë, shtet që e kanë cilësuar si “skenë krimi”.

Kremlini mohon të gjitha akuzat për krime lufte dhe mohon se shënjestron civilët.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka nisur një turne në Afrikë, për të siguruar shtetet se marrëveshja ndërkombëtare për eksportin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi mbetet në fuqi.

Ai i tha liderëve në Egjipt se Rusia “ka ripohuar angazhimin e eksportuesve rusë të drithërave se ata do të përmbushin të gjitha angazhimet e tyre”.

Sipas marrëveshjes për drithërat, që u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, eksportet e drithërave ukrainase nga tri portet në Detin e Zi do të rinisin ne nivelet e para luftës prej rreth 5 milionë tonë në muaj. Marrëveshja po ashtu mundëson rinisjen e eksporteve ruse të drithërave dhe plehrave.

Ukraina është një prej eksportuesve më të mëdha në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por pushtimi rus dhe bllokada që Moska i ka bërë porteve ukrainase ka bllokuar dërgesat.

Këto bllokada kanë shkaktuar rritje të çmimeve të ushqimit në botë, duke vënë miliona njerëz në shtetet e varfra në rrezik nga uria dhe duke shkaktuar frikë për trazira sociale./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Femrat e kuptojnë tradhtinë për tre sekonda

Story i radhës

A do të rikthehet Meta në krye të LSI? Sot merret vendimi, mbahet Konventa Kombëtare

Të fundit nga