Lufta në Ukrainë, Basha: Qeveria të tregojë gjendjen e rezervave të shtetit, të merren masa

February 28, 2022
min lexim

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar transparencë nga qeveria për gjendjen e rezervave të shtetit. Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Basha tha se vendi ynë nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë pasi është anëtar në NATO, por agresioni rus ndaj Ukrainës pritet të ndikojë negativisht në ekonomi.

Për këtë arsye kreu i demokratëve tha se i bën thirrje qeverisë që të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit, mbi planin e masave  apo për masat që ka ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

“Ndërsa ndjekim me shqetësim sulmin brutal dhe të paprovokuar të Rusisë mbi Ukrainën dhe qëndrojmë të vendosur pranë popullit të Ukrainës në këto ditë të vështira, me shpresën që ky agresion kundër një shteti sovran, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare do të ndalojë sa më parë,

Këtu, në vendin tonë, na lind detyra që të minimizojmë sa më parë pasojat e kësaj lufte.

Sot siguria jonë nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe falë faktit se Shqipëria është anëtare e NATOs. Por është e qartë për të gjithë, se agresioni rus ndaj Ukrainës pritet të ndikojë negativisht në ekonomi,  nga çmimet e drithërave dhe vështirësimi i sigurimit të tyre, tek cmimi i karburanteve, dhe për rrjedhojë edhe i produkteve dhe shërbimeve të tjera.

Për këtë arsye sot i bëj thirrje qeverisë shqiptare të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit, mbi planin e masave  apo për masat që ka ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, të cilat edhe ne kushtet aktuale e kanë të vështirë të përballojnë nevojat bazë.

Gjendja ekonomike e shqiptarëve, edhe përpara zhvillimeve të fundit është e qartë për të gjithë. Sipas të dhënave, më shumë se gjysma e popullsisë ne vend sot e kanë të vështirë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre”, tha Basha.

Më tej, Basha theksoi se është thelbësore që qeveria të ndërmarrë një plan masash, ndërsa bëri thirrje që të merren parasysh edhe dy propozimet e PD.

“Në një situatë të rritjes së pritshme të çmimeve, ndodhemi përballë kërcënimit që vështirësitë në të cilën familjet shqiptare ndodhen, të thellohen edhe më shumë.

Prandaj është parësore dhe duhet që menjëherë qeveria të ketë gati një plan masash që të mundësojnë sigurimin e rezervave të mjaftueshme ushqimore dhe të karburanteve, si dhe të përcaktojë mënyrat për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Rritja e mëtejshme e çmimit të karburanteve, që prej kohësh është bërë i papërballueshëm, do të ketë po ashtu pasoja të menjëhershme te çdo familje dhe sipermarrës.  Prandaj duhet menjëherë marrja e masave për të lehtësuar kostot shtesë.

Për këtë arsye i bëj thirrje qeverisë të rimarrë në shqyrtim dy masa të propozuara nga Partia Demokratike:

  1. Uljen e TVSH për ushqimet e shportës nga 20 në 6 % dhe
  2. heqjen e menjëhershme të taksës Rama mbi karburantin prej 240 lekësh për litër.

Ndonëse kjo situatë vjen prej zhvillimeve jashtë vendit,  është detyrë e  menjëhershme e qeverisë të marrë masa, dhe të bëjë transparencë duke informuar qytetarët, pa asnjë vonesë, sepse  ndërkohë mediat kanë nisur të raportojnë blerjet masive të produkteve bazë nga qytetarët.

Paniku nuk ndihmon në këtë situatë, e vështirëson atë. Prandaj duhet menjëherë, veprim, transparencë dhe informacion nga qeveria”, deklaroi Basha. g.v/

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ali Ahmeti për situatën në Ukrainë: Rrezikohet paqja në planet

Story i radhës

Ministri Çupi në takim me kryeparlamentarin Xhaferi

Të fundit nga

Zemra e Trump-it papritmas bën TikTok

„Sa i përket TikTok-ut, ne do ta ndalojmë atë në SHBA. Unë kam këtë fuqi. Mund ta bëj me një dekret presidencial.“ – Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump (78), në
ShkoLartë