Shtetet e Bashkuara kanë marrë informacione se aktualisht ka tetë mijë ushtarë të Koresë së Veriut në rajonin rus Kursk, deklaroi zëvendës ambasadori amerikan në OKB Robert Wood.
Wood në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork e pyeti kolegun e tij rus nëse Rusia ende beson se nuk ka ushtarë të Koresë së Veriut në territorin e saj, por përfaqësuesi rus nuk iu përgjigj.
Moska as e mohoi dhe as nuk e konfirmoi drejtpërdrejt praninë e ushtarëve të Koresë së Veriut. Pheniani fillimisht gjithashtu mohoi pretendimet, por më vonë mbrojti idenë e dërgimit të ushtrisë së tij, duke thënë se ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Në gusht të këtij viti, forcat ukrainase hynë në zonën kufitare ruse në rajonin e Kurskut, ku ende e mbajnë territorin.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi mungesën e përgjigjes perëndimore ndaj Rusisë pasi përfshiu trupat e Koresë së Veriut në luftë.
Ai theksoi se reagimi i dobët i komunitetit ndërkombëtar mund të inkurajojë presidentin rus Vladimir Putin për të rritur atë prani ushtarake.
Lideri ukrainas tha për transmetuesin jug-korean KBS se ai beson se Moska po përpiqet të arrijë marrëveshje me Phenianin për dërgimin e inxhinierëve ushtarakë dhe “një numri të madh civilësh” për të punuar në fabrikat ruse të armëve.
“Putin po kontrollon reagimin e Perëndimit dhe besoj se pas gjithë këtyre reagimeve do të vendosë të rrisë kontingjentin. Reagimi sot është asgjë, zero”, tha Zelensky.
Ai filloi të paralajmëronte për praninë e ushtarëve të Koresë së Veriut në Rusi më 13 tetor. Aleatët perëndimorë e quajtën këtë një përshkallëzim të madh, por nuk u përgjigjën me masa ose nuk njoftuan se do ta bënin këtë.
Burimi: botasot.info