8
Shkup, 30 tetor – Lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i funksionalitetit të pushtetit lokal dhe digjitalizimi i shërbimeve kanë qenë në fokus të takimit të njëzetë e tretë të Komitetit të përbashkët konsultativ ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komitetit të rajoneve të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të temës së parë “Zhvillimi në procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE” nga takimi që mbahet në Shkup, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, theksoi se është prioritet që të përmirësohen kushtet e jetesës në të gjitha komunat.
“Decentralizimi i pushtetit mbetet parimi më i rëndësishëm, prioritet është përmirësimi i funksionalitetit të vetëqeverisjes lokale. Është planifikuar që deri në fund të vitit 2026 të krijohen të gjitha parakushtet për digjitalizimin në një pako shërbimesh”, ka thënë ministri.
Shefi i bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së në vendin tonë, Stefen Hudolin, tha se takimi është një mundësi e mirë për shumë rrjete.
“Ky takim ndodhë një moment të rëndësishëm. Në një moment vendimtar për të ardhmen e BE-së. Duhet vullnet politik për hyrje në BE. Ne besojmë se skena është vendosur. Ajo që duhet të vazhdojë janë reformat”, theksoi ai.
Patrik Molinoz, kryetar i Komisionit CIVEX (Komisioni për shtetësi, qeverisje, çështje institucionale dhe të jashtme të Komitetit evropian të rajoneve), theksoi se është e nevojshme të forcohet decentralizimi.
“Vetë nuk jemi asgjë, mund të rritemi në botë vetëm nëse angazhohemi dhe ndërtojmë BE më të fortë. Decentralizimi duhet të forcohet dhe të jetë pjesë kryesore për procesin e pushtetit lokal që të fitojnë mjete për të arritur qëllimet”, tha ai.
Kryetari i BNJVL-së dhe kryetar i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, foli për rolin e autoriteteve lokale në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në BE, duke theksuar se 70 për qind e legjislacionit evropian duhet të zbatohet në vend. Gjorgjievski foli edhe për fondet evropiane nga Plani i rritjes ku Maqedonia deri në fund të vitit duhet të marrë 50 milionë euro. Ai theksoi se këto mjete nevojiten për të arritur standardet evropiane, por nuk duhet të jenë si kusht.
“Ne ende besojmë se do të gjejmë zgjidhjet e duhura, pa kushte kaq serioze në dëm tonin dhe shfrytëzoj rastin të kërkoj mbështetjen tuaj në këtë rrugëtim. Ajo që na gëzon dhe na jep shpresë se pushteti lokal më në fund do të kapë hapin në implementimin e standardeve të dëshiruara evropiane është qëndrimi që kjo Qeveri ka ndaj komunave dhe BNJVL-së”, ka thënë ai.
Në temën e dytë të takimit, kushtuar tranzicionit digjital, Gjorgjievski theksoi rëndësinë e shërbimeve elektronike dhe pranimin e kërkesës shumëvjeçare të BNJVL-së për softuer për pagesën elektronike të taksave.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit dhe bashkëkryesuese e takimit, Danella Arsovska, theksoi se problemi kryesor është korrupsioni.
“Ajo që vumë re sot është problemi i korrupsionit. Secili nga anëtarët ka pasur rekomandime dhe qëllimi i këtij komiteti konsultativ është të dëgjojmë njohuritë e tyre, atë se çfarë kanë bërë për të kapërcyer këto probleme dhe këtë problem kyç që është vërejtur për RMV-në për t’u zgjidhur në momentin derisa jemi në rrugën drejt BE-së”, tha ajo.
Jasna Gabriq, anëtare e Kuvendit të Komunës së Tërbovles dhe anëtare e Komitetit evropian të rajoneve (KoP), theksoi se me më pak korrupsion mund të besohet se do të ketë një jetë më të mirë për shumicën e qytetarëve.
KPK është themeluar në vitin 2008 me qëllim të përgatitjes së bazës për zgjerimin e BE-së duke promovuar dialogun politik dhe bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve lokale dhe rajonale.
BURIMI: zhurnal.mk