Luçiano Boçi, i zgjedhur nënkryetar i ri në Partinë Demokratike që drejtohet nga Sali Berisha thotë se do të vazhdojnë të shprehin deri në fund qëndrimet e tyre lidhur me reformat e reja. “Rithemelimi” përfaqësohet vetëm në Komisionin për Reformën Zgjedhore nga Oerd Bylykbashi.
Në studion e Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, Boçi tha se do të zhvillojnë tryeza me ekspertë, ndërsa do të kenë edhe takime me qytetarët për Reformën Territoriale.Do vazhdojmë të shprehim qëndrimet tona. Do të zhvillojmë tryeza me ekspertë. Do të bëjmë edhe takime me qytetarët për reformën territoriale”, tha ai.
Demokrati u shpreh se në shtator do të rikthejnë protestat në vend, pasi siç thotë ai është një kërkesë e vazhdueshme nga qytetarët.
“Protesta janë të kërkuara. Ngjarjet janë të tilla që i bëjnë të domosdoshme. Ka zemërim të qytetarëve. Duke parë që është një kërkesë e vazhdueshme, kemi nisur angazhimet tona që në shtator të mos kemi vetëm një betejë vetëm në Parlament, por edhe një betejë tjetër aksioni politik protestues, duke përfshirë të gjithë qytetarët”, theksoi Boçi.