Partia e Dimitar Kovaçevskit, LSDM ka reguar ndaj protestave të opozitës. Ajo ato i ka quajtur se janë protesta të koalicionit anti-evropian të udhëhequra nga VMRO-DPMNE-ja dhe E Majta pro-ruse. Sipas tyre, këta të fundit nuk janë kundër propozimit të fundit evropian, por sfondi i tyre ishte një përpjekje e pasuksesshme për të rrëzuar Qeverinë.
“Tani që informacioni për propozimin evropian është në Kuvend, të gjithë atë mund ta shohin qartë. Skenarët e përgjakshëm me krijimin e qëllimshëm të tensioneve, konflikteve, rrezikimit të stabilitetit në shtet janë në fakt një luftë për pushtet. Për qëllimet e tij personale, Mickoski, së bashku me Apasievin ishte i gatshëm të fuste në konflikt të gjithë shtetin, përmes një skenari të rrezikshëm, të errët dhe të përgjakshëm për konflikt civil dhe konflikt etnik. Nuk patën sukses këto skenarë që u ndihmuan edhe nga Aleanca”, thonë nga atje.
Ata kanë shtuar se tani është përgjegjësi e Kuvendit dhe e të zgjedhurve të qytetarëve të marrin vendim për të ardhmen.
“Të gjithë aktorët politikë në shtet tani duhet të tregojnë përgjegjësi, të kontribuojnë që vendimi i rëndësishëm shtetëror të merret në një atmosferë demokratike. Kohërat serioze kërkojnë politikanë të përgjegjshëm”, kanë shtuar nga atje.
Siaps tyre, në vend të dhunës dhe destabilizimit të zgjedhim harmoni dhe prosperitet, përndryshe humbëse është Republika e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë qytetarët e saj.