LSDM: Janë falur kriminelë të dënuar! Siljanovska: Komisioni ka vendosur në bazë të veprave, jo personazheve

October 23, 2024
min lexim


Kjo është lista me 10 personat e dënuar që së fundmi i amnistoi Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.


Mes tyre edhe ish-kryetari i Manastirit, Vlladimir Taleveski, që ishte dënuar me shtatë vjet burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin “Transportuesi”.  Taleski kaloi tre vjet në arrest shtëpiak, pas së cilës i kishin mbetur edhe katër vjet burg. Në këtë rast janë konfiskuar më shumë se gjysmë milioni euro mjete të përfituara në mënyrë të paligjshme. Ai tashmë ishte falur në vitin 2016 nga presidenti Ivanov, kur u bë falje kolektive. Me faljen e tanishme të Siljanovskas, Talevskit dënimi i është ulur me një vit.

Një emër tjetër më i njohur të cilin e fali presidentja është Shenoll Masllani, vëllai i personazhit të njohur Shenki Versaçe nga Haraçina e Shkupit i cili ka tërhequr vëmendjen për stilin e tij luksoz të jetesës. Ai ishte përmendur në një Buletin të MPB-së në 2019-tën pas një aksioni ndaj një grupi që kërcënonte një zyrtar policie dhe që merrej me tregti droge.


Përveç Talevskit dhe Masllanit, Presidentja ka amnistuar edhe Akif Ravmanoskin, anëtar i klanit të drogës “Baron” dhe Marjan Efremov, i pari i dyshuar për aferën “Spiuni”. Sipas informacioneve jozyrtare të TV21, Ravmanoski dyshohet se është personi që para disa ditësh në lagjen Çair të Shkupit qëlloi në këmbë 35-vjeçarin E.A.

Për këto, me kritika të ashpra doli opozitarja LSDM, të cilat faljet i quajtën skandaloze dhe tronditëse, për shkak se siç tha zëdhënësja Bogdanka Kuzevska, janë amnistuar kriminelë të dënuar, pjesë e klaneve të drogës, të arrestuar në operacione të mëdha policore me sekuestrimin e armëve, parave dhe drogës.


“Me këto vendime skandaloze Siljanovska-Davkova doli në mbrojtje të kriminelëve dhe narko-klaneve. Kjo është shkelje e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Ky është sulm i fortë ndaj sigurisë së qytetarëve dhe punës së policisë dhe institucioneve kompetente. Krejt kjo po ndodh në kohë kur cenohet sistemi i sigurisë dhe partizimit të Agjencisë për Siguri Kombëtare”, shtoi Bogdanka Kuzevska, zëdhënëse LSDM.

Në BDI, për faljet u pyet deputeti Ilir Hasanin, i cili tha se nuk ka informacione të hollësishme rreth emrave të falur nga Presidentja, por megjithatë shtoi se janë të paarsyetueshme.

“Realisht ajo do të duhet të japë arsyetimin e saj edhe pse këto falje nuk arsyetohen, por kemi të drejtë demokratike t’i interpretojmë. Për fat të keq nuk mund të përgjigjem për shkak se nuk e di identitetin e personave në fjalë dhe motivin që ka sjellë deri te falja e tyre”, tha Ilir Hasani, deputet BDI.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e pyetur nga TV21 rreth amnistive që ka nënshkruar, e arsyetoi punën e Komisionit për falje duke thënë se vendimet janë marrë mbi bazë të analizës së veprave për të cilat janë dënuar dhe jo për personat konkretë. Shtoi se e respekton punën e komisionit dhe nuk përzihet në punën e tyre

“Kur unë i nënshkrova këto vendime, u nisa nga ajo se, në rastin e parë, nuk e di as emrin si ishte të jem e sinqertë, aktgjykimi është 1 vit e 3 muaj dhe vepra ka të bëjë me armëmbajtje pa leje të dhe 5 plumbave, kjo është vepra. Me shumë gjasa ata janë udhëhequr nga kjo. Po, personazhi e di se kush është, por unë flas për punën e komisionit. Te rasti i dytë bëhet fjalë për vepër që lidhet me dhunë, ndonjë rrahje në ndonjë pikë pagese dhe dënimi është 6 muaj. Po, personazhet janë me të vërtetë interesantë, në kuptimin negativ të fjalës, ky është fakt, unë tani e shoh këtë, por them që ata janë udhëhequr nga veprat konkrete”, tha Gordana Siljanovska-davkova, presidente.

Përndryshe, duhet ditur se përpara se Presidenti të marrë vendim për falje, procedura kalon nëpër disa nivele. Fillon me paraqitjen e një kërkese për falje në gjykatën. Gjykata e paraqet kërkesën në Ministrinë e Drejtësisë. Ministri shqyrton të gjitha dokumentet dhe bën propozimin e tij, të cilin ia dorëzon Presidentit. Komisioni i Presidentit për falje në seancat e rregullta shqyrton çdo kërkesë të pranuar për falje së bashku me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Komisioni me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm jep propozim, të cilin ia paraqet Presidentit. Në bazë të mendimit të Komisionit, si dhe në bazë të propozimit të ministrit të Drejtësisë, Presidenti merr vendim përfundimtar.

Burimi: TV21

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

52 mijë qytetarë janë paraqitur për vaksinim kundër gripit sezonal

Story i radhës

​Ursula von der Leyen në Tiranë: Shqipëria fiton 920 milionë euro nga Plani i Rritjes

Të fundit nga

ShkoLartë