Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë sot edhe zyrtarisht thirri partitë por edhe shoqatat civile dhe joqeveritare, për formimin e “frontit europian”, i cili siç thonë, do ta mbështesë anëtarësimin e vendit në BE. Ky front do të thotë pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale, ndërsa siç tha deputeti Martin Kostovski, qëllimi strategjik do të jetë anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
“Shtrijmë dorën për forcat proeuropiane, progresive, demokratike, pa dallime etnike dhe ideologjike. Së bashku, në bazë të principeve europiane dhe vlerave demokratike, të krijojmë frontin europian dhe të realizojmë qëllimin strategjik: Anëtarësim në BE deri në vitin 2030”, tha Martin Kostovski – deputet i LSDM-së.
Deri tani me qëndrim të qartë ka dalë vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili do të jetë pjesë e këtij fronti bashkë me LSDM-në. Nga ana tjetër Lidhja Europiane për Ndryshim e përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa e Lëvizja Demokratike, do të garojnë së bashku dhe nuk do të jenë pjesë e këtij fronti.
Por çfarë plane kanë partitë tjera?
Arjanit Hoxha nga PDE, thotë se në periudhën në vijim do të realizojnë takime me parti të ndryshme politike por se deri tani nuk ka diçka konkrete. Hoxha nuk e përjashtoi mundësinë që në zgjedhje të garojnë vetë.
“Qëllimi ka qenë që formalisht të meret autorizimi i Këshillit Qendror që në të gjitha thirrjet që do jenë potenciale apo edhe nga takimet joformale që kanë qenë në periudhën që kalon, të mund të formalizohen dhe të bisedojmë për atë se si duam të duket një lloj koalicioni dhe cilat do të jenë synimet e një koalicioni potencial, pa dashur të hyjë në atë se me cilat parti politike sepse është ende herët. Nuk ka diçka konkrete. Kemi komunikime me parti të cilat i ndajnë vlerat e njëjta për procesin eurointegrues”, theksoi Arjanit Hoxha – kryetar i PDE-së.
Vendim përfundimtar nuk ka as Lëvizja Populli.
“Këto zgjedhje besoj që do jenë me dy blloqe të partive politike shqiptare dhe do të jetë një sihariq i mirë. Ende si do të vendoset, do vendosin organet partiake”, Skender Rexhepi-Zejdi, kryetar i LD-së.
Qëndrim definitiv nuk ka as ASH, por me shumë gjasa do të garojë vetë.
“Rreth koalicionimeve, atë do ta bisedojmë në kuadër të partisë, nuk ka një qëndrim definitiv. Për momentin Aleanca për Shqiptarët përgatitet për të shkuar vet në zgjedhje”, pohoi Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Kërkuam qëndrim edhe nga Partia Demokratike Shqiptare mirëpo deri tani pa përgjigje. Përndryshe zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë caktuar për më 8 maj, bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Burimi: TV21