Me synimin që të promovojë frymën e pajtimit dhe të bashkëpunimit midis të rinjve në rajon, përmes programeve të shkëmbimit, gjatë Samitit Ballkanik në Paris, në korrik të vitit 2016 u vendos gurthemeli për punën e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO). Kjo Zyrë u themelua nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Më 27 janar, në Prishtinë u organizua ceremonia e fillimit të këtij projekti, ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë vendorë e ndërkombëtarë, në mesin e tyre znj. Vjosa Osmani-Sadriu, presidente e Kosovës, ambasadori i Gjermanisë, i Francës, përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, të OSBE-së etj.
Gjatë aplikimeve, RYCO ka pranuar 127 propozime shkëmbimi nga shkollat e Ballkanit Perëndimor, ndërsa komisioni ka përzgjedhur 30 projektet më të mira, prej të cilave gjshtë ishin nga Kosova. ALG “Loyola – Gymnasium” nga Prizreni është i vetmi institucion arsimor privat nga Kosova që ka fituar grantin, që synon mbështetjen e proceseve të ndërtimit të paqes, pajtimit dhe të mësuarit ndërkulturor dhe dialogut ndërmjet shkollave, nxënësve dhe komuniteteve të tyre.
“Kjo formë bashkëpunimi promovon kohezionin dhe mund të bëhet urë lidhëse midis kombeve në rajon. “Loyola-Gymnasium” përfaqëson vlera të tilla, si pajtimi, shkëmbimi ndërkulturor, promovimi i sinergjive dhe ka marrë pjesë me sukses në procesin e përzgjedhjes për t’u bërë “Super shkollë”, -thotë z. Elias Koller, drejtor ekzekutiv i ALG “Loyola-Gymnasium”. “Ne jemi krenarë që jemi pjesë e këtij programi dhe së bashku me shkollën tonë partnere, Gjimnazin “OBALA” nga Sarajeva, dëshirojmë të angazhohemi për dialogun dhe shkëmbimin ndërkulturor ndërmjet Kosovës dhe Bosnje – Hercegovinës”, -thotë z. Koller.
“Ne e shohim këtë pjesëmarrje, jo vetëm si një rast për nxënësit tanë për të fituar një përvojë të re, por edhe për të hapur rrugën si institucion arsimor, si shembull se dialogu përtej kufijve kontribuon në zhvillimin dhe sukseset në fushën e arsimit”, vijon z. Koller. Sipas tij, “Loyola-Gymnasium” e pret me padurim këtë shkëmbim dhe shpreson se do të shpiejë në shumë partneritete afatgjata shkollore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të frymëzuar shkollat tjera që të bëhen pjesë e këtij programi.
Zbatimi i projekteve në kuadër të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) do të zhvillohet në periudhën shkurt-maj 2022, kur shkollat partnere do të organizojnë vizita të ndërsjella, që do të zgjasin nga gjashtë deri në dhjetë ditë, me një grup deri në njëzet nxënës, të shoqëruar nga një ose dy arsimtarë.
Asociation “Loyola-Gymnasium” (ALG) dëshiron të falënderojë RYCO-n për punën e bërë deri më tani në këtë program, i cili bashkëfinancohet nga BE-ja, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe zbatohet nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ)”, thotë në përmbyllje, drejtori ekzekutiv i ALG “Loyola-Gymnasium”, në Prizren, z. Elias Koller.