lorik ilazi kritika eshte pjese e sportit kemi fituar nje brez qe sapo ka nisur te shkruaje historine 68763dd701164

Lorik Ilazi: Kritika është pjesë e sportit! Kemi fituar një brez që sapo ka nisur të shkruajë historinë

July 15, 2025
min lexim

Kombëtarja e Kosovës U-16 e mbylli me të gjitha humbjet Kampionatin Evropian U-16 në volejboll (femrat), që u mbajt për disa ditë në Prishtinë.

Selektori i kombëtares së Kosovës U-16, Lorik Ilazi, ka një shpjegim për këtë seri të zezë të rezultateve, shtatë ndeshje po aq hunbje, pa fituar edhe një set të vetëm!

Ilazi thotë se rezultatet ishin të pritshme duke pas parasysh se vajzat e reja nuk kishin asnjë përvojë në arenën nërkombëtare.

Image

Sipas tij, e nisën nga zero, por gjatë kampionatit u pa qartë një rritje në lojë.

“Bota sot”. Pse rezultatet ishin kaq të dobëta dhe nuk u fitua asnjë set në kampionat?

Image

Lorik Ilazi

Lorik Ilazi: Këto rezultate ishin të pritshme për ne që jemi brenda sistemit dhe e njohim realitetin e volejbollit të grupmoshave në Kosovë.

Kjo përfaqësuese u formua me vajza që për herë të parë po luanin së bashku në një ngjarje ndërkombëtare.

Shumica prej tyre nuk kishin asnjë përvojë ndërkombëtare dhe për një pjesë të mirë, këto ishin ndeshjet e para serioze jashtë ambientit të klubeve të tyre lokale.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet se Kosova mori pjesë në këtë kampionat si vend mikpritës, ndërsa të gjitha ekipet e tjera kishin kaluar një proces të gjatë e të ashpër kualifikues, me shumë ndeshje dhe përvojë të fituar. Ato erdhën në Prishtinë si ekipe të ndërtuara dhe të testuara. Ky disbalancë ishte i dukshëm.

Ne luftuam me dinjitet, por nuk mund të bëjmë mrekulli pa një bazë të qëndrueshme klubore dhe pa një përgatitje shumëvjeçare.

“Bota sot”: A kishte talente të vërteta, a i përzgjodhe me të mirat apo zgjidhe edhe vajza me të njohshëm?

Lorik Ilazi: Po, padyshim. Procesi i përzgjedhjes ishte i hapur, transparent dhe i bazuar në kritere profesionale.

Ne grumbulluam mbi 80 vajza nga e gjithë Kosova, të lindura në vitet 2010, 2011, 2012 dhe 2013. Bëmë testime antropometrike (gjatësia trupore dhe e gjymtyrëve), testime fizike (shpejtësi, fuqi, kërcim, koordinim) dhe testime teknike në fushë.

Në këtë moshë, përparësia iu dha potencialit fizik dhe strukturor afatgjatë, sepse volejbolli modern kërkon lojtare me baza të forta fizike.

Ne nuk lamë jashtë asnjë vajzë që kishte parametrat fizike dhe bazën për të ndërtuar një të ardhme. Procesi ynë ishte identik me atë të vendeve të zhvilluara të Evropës.

Mjafton ta krahasojmë me Italinë: përzgjedhësit italianë na treguan se vetëm për vitin e lindjes 2010 kishin mbi 800 vajza në listën e përzgjedhjes, dhe po aq për vitin 2011 – ndërsa gjithsej në vendin e tyre janë mbi 1.5 milion vajza të regjistruara në volejboll të lindura në vitin 2010 e më të reja. Ndërsa ne në Kosovë, për të gjitha këto gjenerata kishim vetëm 80 vajza të disponueshme. Ky është realiteti ynë.

“Bota sot”: Si nuk arritët të fitoni asnjë set? A duhet të jepni dorëheqje pas këtij rezultati?

Lorik Ilazi: Kam dhënë maksimalisht nga vetja në këtë proces. Vajzat kanë punuar me përkushtim për mbi 40 ditë rresht dhe u përballën me një nivel që ishte i ri për to. Ne e nisëm nga zero, por gjatë kampionatit u pa qartë një rritje në lojën tonë dhe ajo që ndërtuam nuk është humbje – është një fitore afatgjatë për sistemin tonë.

Dorëheqja nuk është zgjidhja e problemit. Ajo nuk ndihmon nëse sistemi nuk mbështet punën me grupmoshat në mënyrë të organizuar. Nuk ka rëndësi nëse përfaqësuesen e udhëheq unë apo dikush tjetër… pa një kulturë pune në klube, pa vazhdimësi të trajnimit dhe pa një rrjet bashkëpunimi, rezultatet nuk do të vijnë.

Unë nuk erdha për interes personal, erdha sepse jam pjesë e atyre trajnerëve që kanë ndërtuar volejbollin kosovar, dhe ne u bashkuam për të ndihmuar këtë grupmoshë në një moment historik: pjesëmarrja e parë e Kosovës në një Evropian U16 si mikpritëse.

“Bota sot”: Ju jeni trajner i një klubi shumë të suksesshëm, pse nuk patët lojtare që të ndihmonin më shumë për përfaqësuesen?

Lorik Ilazi: Klubi im, KV Drita, është një nga klubet më prodhuese në Kosovë dhe rajon. Pothuajse e gjithë Superliga e Kosovës përbëhet nga lojtare që kanë dalë nga puna jonë. Vajzat tona luajnë dhe kanë luajtur jo vetëm në Kosovë, por edhe në ligat evropiane dhe amerikane.

Dua të theksoj se nga ky klub ka dalë edhe një prej talenteve më të mëdha që ka pasur ndonjëherë volejbolli kosovar: Megi Bislimi, e cila sot është pjesë e Eczacıbaşı Dynavit, një prej klubeve më të mëdha në historinë e volejbollit botëror.

Nuk është pak. Sikur çdo klub në Kosovë të kishte ndërtuar nga një Megi, sot do të ishim jo vetëm pjesëmarrës, por konkurrues serioz në nivelet më të larta evropiane dhe pse jo, e në të edhe në Olimpiadë.

“Bota sot”: Thuhet se Federata ka ofruar kushte të jashtëzakonshme. A është e vërtetë?

Lorik Ilazi: Po, absolutisht. Dua të falënderoj publikisht Federatën e Volejbollit të Kosovës, nën drejtimin e Bahri Gjinovcit dhe Bordit Ekzekutiv, për përkrahjen dhe organizimin shembullor. Ky ka qenë grumbullimi më i gjatë dhe me kushtet më të mira që ka pasur ndonjëherë një përfaqësuese e grupmoshës në Kosovë.

Gjithashtu, falënderoj CEV-në për besimin që na dha si mikpritës dhe Federatën Shqiptare të Volejbollit për bashkë-organizimin.

Ky ishte një model organizimi evropian, i denjë për t’u marrë shembull nga shumë vende më të mëdha. Tani, puna është në dorën tonë: ta mbushim këtë strukturë me përmbajtje dhe të zhvillojmë cilësinë teknike të lojtareve.

“Bota sot”: A do të kishit bërë ndonjë gjë ndryshe nëse do ta kthenit kohën pas?

Lorik Ilazi: Sigurisht që çdo trajner bën reflektime. Po të kisha mundësi, do të përpiqesha të siguroja më edhe më shumë ndeshje miqësore ndërkombëtare para kampionatit, që vajzat të mos hynin direkt në përballje të vështira pa përvojë paraprake të fuqishëm, të përcjellja më gjatë këta vajza.

Gjithashtu, kam biseduar me Presidentin e FVK dhe stafin teknik për të ndërtuar një projekt kombëtar të bashkëpunimit ndërmjet trajnerëve të përfaqësueses dhe klubeve, në mënyrë që të jemi të gjithë në shërbim të vajzave  premtuese – jo vetëm gjatë kampionateve, por gjatë gjithë vitit. Bashkëpunimi është thelbësor për ngritjen e cilësisë.

“Bota sot”: Çfarë u thoni atyre që kritikojnë me fjalë të ashpra këtë përfaqësuese?

Lorik Ilazi: Kritika është pjesë e sportit dhe duhet të pranohet. Por ajo duhet të jetë e drejtë, e informuar dhe e ndërtuar mbi dashurinë për sportin. 

Nuk është korrekte të gjykojmë vajza 12-13-14-vjeçare që dhanë maksimumin dhe përfaqësuan Kosovën me zemër dhe nder.

Kjo përfaqësuese nuk është dështim, është themeli i një të ardhmeje që mund të jetë shumë premtuese, nëse punojmë të gjithë së bashku. Përkundër rezultatit, ne nuk kemi humbur – ne kemi fituar një brez që sapo ka nisur të shkruajë historinë e vet.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

gjirokastra 20 vjet ne unesco rama perjetesisht pasuri e shpirtit 68763d9b029bf
Lajmi i mëparshëm

Gjirokastra 20 vjet në UNESCO, Rama: Përjetësisht pasuri e shpirtit

presidentja osmani u takua me presidentin e letonise vullnet i perbashket per bashkepunim te thelluar 68763e120239b
Lajmi i radhës

Presidentja Osmani u takua me presidentin e Letonisë, vullnet i përbashkët për bashkëpunim të thelluar

Të fundit nga

ShkoLartë