Longo: Jam i sigurt për vendin e tretë

min lexim

Diego Longo u rikthye të flasë në emisionin “Gol pas Goli”, duke komentuar barazimin pa gola ndaj Tiranës në “Arena Egnatia”. Tekniku italian tha se skuadra interpretoi si duhet sfidën ndaj kryesuesve, teksa u shpreh optimist që Kukësi do të ruajë vendin në treshen e parë të renditjes.

“Sot luajtëm kundër ekipit më të mirë në kampionat, që është shkëputur shumë në krye dhe në ndeshje të tilla duhet të jesh i zgjuar e të luash si ne sot.

Sot jam i kënaqur për mënyrën si ekipi luajti, pasi kishim rastet tona me Taipin e Ndrecën. Kishim edhe mungesa si Feijao, Basha e Milunovic, ndaj jam i kënaqur. Edhe Tiranës po t’i heqësh 2-3 titullarë, do të ketë probleme sigurisht.

Shkurtaj është shumë i rëndësishëm për ne, por fatkeqësisht është i dëmtuar. Ai ka një problem në gju dhe nuk e di kur mund të rikthehet që të japë kontributin.

Luajtëm kundër ekipit më të mirë dhe ndaj Tiranës nuk mund të luash hapur, pasi po u le hapësira, të ndëshkojnë. Normalisht jam i kënaqur për mënyrën si u përballëm me këtë kundërshtar dhe për shpirtin e garës që treguam.

Të them të drejtën, në periudhën e fundit kam parë të njëjtin shpirt gare, si ndaj Vllaznisë për shembull. Po tregojmë në fushë të njëjtin shpirt gare që po shfaqim edhe në stërvitje.

Unë mendoj se nëse duam të analizojmë ecurinë, duhet të kemi parasysh të gjithë situatat, nga momenti që nisi sezoni, deri tani. Ne kemi ndryshuar shumë dhe kemi përmirësuar shumë organizimin tonë, por edhe kondicionin fizik. Filluam të shfaqim një futboll modern, që na pëlqeu, por në të njëjtën kohë ishim edhe të kujdesshëm.

Gjatë kësaj periudhe kishim edhe shumë lojtarë të rinj, ndaj ishte normale që të përjetonim edhe ditë të këqija si në ndeshjen në Laç. Pas të gjitha këtyre, të arrish në vendin e tretë është një arritje për ne, ndaj unë jam i fokusuar që të mbajmë këtë pozicion.

Unë jam i sigurt që do të renditemi në treshen e parë, pasi shoh lojën e ekipit, shpirtin e garës, mënyrën si stërvitemi, etj., ndaj jam i sigurt”, u shpreh Longo.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Disa ilaçe shtëpiake që ndihmojnë në shërimin e mishrave të dhëmbëve nga gjakderdhja

Story i radhës

Nuk u ftua në ceremoninë e nderimit të martirëve, kryetari i PD së Shkodrës i zhgënjyer: Përjetova masakrat e 2 prillit

Të fundit nga