Drejtori i ndërmarrjes publike për infrastrukturë hekurudhore, Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hari Lokvenec, sot pati fjalim para Parlamentit Evropian, ku i prezantoi projektet për ndërtimin e korridoreve kyçe në shtet.
Në kontekst të krizës energjetike dhe klimatike, Lokvenec i përkujtoi eurodeputetëve se qëllimi për dekarbonizimin e ekonomive në Evropë në vitin 2050 duhet të nënkuptojë fokus ndaj transportit hekurudhor.
“Mjeti i vetëm transportues i cili mund ta realizojë këtë qëllim është transporti hekurudhor, sepse është mënyra më e shpejtë, më e lirë, më e shkurtër e lidhjes dhe njëkohësisht kujdeset për mjedisin jetësor”, deklaroi Lokvenec.
Në seancën dëgjimore në Parlamentin Evropian, ku nga pjesëmarrësit vetëm maqedonasit ishin nga një vend i cili nuk është anëtar i BE-së, Lokvenec porositi se ky qëllim do të arrihet përmes ndërtimit të korridorit hekurudhor 8, nga Shqipëria përmes Maqedonisë së Veriut deri në Bullgari.
Plani që të realizohet është me lidhjen e portit të Adriatikut në Durrës përmes Shkupit deri në Detin e Zi në Bullgari, Burgas dhe Varna. Në këtë mënyrë, tha Lokvenec, lidhen Mesdheu dhe Deti i Zi.
“Kjo na mundëson të themi se e ndërtojmë Bosforin kontinental evropian”, tha ai, duke shtuar se në këtë mënyrë lidhen tre vende anëtare të NATO-s.
Plani për Korridorin 8, shtoi Lokvenec, do të rrumbullakojë “iniciativë të rëndësishme evropiane”, e cila i përfshin edhe vendet baltike dhe me këtë tre dete: Deti i Zi, Adriatik dhe Baltik.
Shefi i Hekurudhave të Maqedonisë u tha kolegëve në BE se vendet në Evropë, nëse janë anëtare ose kandidate, së bashku paraqesin “mozaik të madh hekurudhor” dhe të gjitha duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Përmes këtyre aktiviteteve tregojmë se nuk jemi vetëm pjesë gjeografike e Evropës, por kemi kapacitet dhe vullnet për të qëndruar krah për krah me miqtë tanë evropianë përmes pjesëmarrjes në zbatimin e strategjive evropiane”, theksoi Lokvenec në fjalimin e tij para Parlamentit Evropian në Bruksel.