Liz Cheney në fushatë me demokraten Harris; Donald Trump tubim në Miçigan

October 3, 2024
min lexim

Liz Cheney, një ndër kundërshtaret më të ashpra të ish-Presidentit Donald Trump nga Partia Republikane, do t’i bashkohet kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris, në një aktivitet elektoral në Viskonsin të enjten, që synon të mobilizojë votuesit e moderuar.

Zonja Cheney ishte zyrtarja kryesore republikane në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021. Ajo u sulmua ashpër nga ish-presidenti republikan dhe u detyrua praktikisht të largohej nga kjo parti.

Zonja Cheney u mund dy vite më parë në zgjedhjet paraprake në Uajoming nga një kandidate që mbështetej nga ish-Presidenti Trump. Muajin e kaluar, zonja Cheney i dha mbështetjen kandidaturës së nënpresidentes demokrate. Dy gratë do të shfaqen së bashku në një shkollë në Ripon, ku në vitin 1854 u mbajtën një seri takimesh për të kundërshtuar zgjerimin e skllavërisë dhe që solli lindjen e Partisë Republikane.

Nënpresidentja Harris do të vazhdojë dy ditë aktivitetesh në Viskonsin dhe Miçigan. Ish-Presidenti Donald Trump do të jetë në Miçigan të enjten, ndërsa palët përpiqen të fitojnë terren në këto shtete kryesore për betejën elektorale.

Presidenti Joe Biden tha të enjten se nuk ishte i shqetësuar për garën e ngushtë Trump-Harris pasi, “gjithnjë del e afërt”, tha ai.

“Do ja dalë mbanë”, u tha Presidenti Biden gazetarëve për Nënpresidenten Harris në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa nisej për të vizituar zonat e dëmtuara nga stuhia në Xhorxhia dhe Florida. Ai shtoi se kandidati demokrat për nënpresident, guvernatori i Minesotas Tim Walz, pati paraqitje të mirë në debatin e së martës në Nju Jork me kandidatin republikan për nënpresident JD Vance.

“Tjetri e humbi debatin”, tha Presidenti Biden. “Dha variante të rreme për çdo gjë”.

Vizita e Nënpresidentes Harris në Uiskonsin bëhet një ditë pasi gjykata bëri publike një padi prej 165 faqesh ndaj ish-Presidentit Trump për përpjekjet për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Ish-Presidenti Trump ka deklaruar pafajësinë për akuzat për konspiracion dhe pengim të drejtësisë.

Është shumë e pazakontë që kandidatja e një partie kryesore të shfaqet në javët e fundit të fushatës elektorale aty ku i ka fillimet partia kundërshtare. Për më tepër, emri i familjes Cheney ishte dikur i papranueshëm për demokratët, të cilët kritikonin Dick Cheney-in, babain e Liz Cheney-it, për rolin e tij si nënpresident gjatë administratës së ish-Presidentit George W. Bush.

Por tashmë dy anëtarët e familjes Cheney mbështesin zonjën Harris, së bashku me një grup zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh republikanë që janë shkëputur nga pjesa më e madhe e partisë së tyre, e cila ka kaluar në mbështetje të zotit Trump. Nënpresidentja Harris dëshiron ta paraqesë kandidaturën e saj për presidente si një zgjedhje patriotike për votuesit e pavarur dhe konservatorë, të cilët mund të jenë trazuar nga mungesa e vullnetit për të dorëzuar pushtetin nga ish-Presidenti Trump. Ish-presidenti vazhdon ta mohojë humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, me pretendimin se pati manipulime në zgjedhje.

Të premten, zonja Harris do të ketë një aktivitet elektoral në Flint të Miçiganit, duke vazhduar kështu turneun e saj në shtetet që kanë qenë jetike për fitoren e demokratëve.

Në vitin 2016, ish-Presidenti Trump fitoi në Pensilvani, Viskonsin dhe Miçigan, ndërsa në vitin 2020 në këto shtete fitoi Presidenti Joe Biden.

Ish-Presidenti Donald Trump do të ketë një aktivitet elektoral në zemrën e shtetit Miçigan, në Qarkun Saginav, që ka shërbyer si tregues elektoral.

Kandidati republikan për president ka shtuar fokusin tek Miçigani, ku më pak se një javë më parë mbajti dy tubime të tjera. Në zgjedhjet e vitit 2020, Presidenti Biden fitoi në Qarkun Saginav me një diferencë të ngushtë prej 303 votash./VOA

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Reshje shiu? Ky është parashikimi i motit për nesër

Story i radhës

Një 19-vjeçar bën për vete Ilir Dajën

Të fundit nga

ShkoLartë