LIVE: Macron shtyn vizitën në Ukrainë/ Zbulohet plani rusëve, ja si po veprojnë për të luftuar në Ukrainë!

CNN: Rusia ka rekrutuar 15 mijë nepalezë për të luftuar në Ukrainë


Ushtria ruse ka rekrutuar 15,000 nepalezë për të luftuar kundër Ukrainës, raporton CNN, duke cituar burime të shumta. Ndërsa viktimat ruse në fushëbetejë rriten, qeveria ruse vitin e kaluar njoftoi një paketë për luftëtarët e huaj që i bashkohen ushtrisë së Moskës, e cila përfshin të paktën një pagë mujore prej 2,000 dollarësh dhe një proces të përshpejtuar për marrjen e një pasaporte ruse.

Sipas qeverisë nepaleze, aktualisht ka vetëm rreth 200 qytetarë të saj që luftojnë në Ukrainë në anën ruse, me të paktën 13 prej tyre të vrarë në aksion dhe 4 të kapur si robër lufte. Por avokatët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut në Nepal thonë se këto vlerësime zyrtare nënvlerësojnë shumë shifrat e vërteta.

Ligjvënësi nepalez i opozitës dhe ish-ministri i Jashtëm Bimala Rai Paudyal tha se midis 14,000 dhe 15,000 nepalezë po luftonin në Ukrainë, duke përmendur dëshmitë e burrave që ktheheshin nga vijat e frontit dhe duke u bërë thirrje autoriteteve ruse të japin numrat realë.

CNN përmend dy qendra trajnimi në Rusi, ku nepalianët dhe të huajt e tjerë po stërviten përpara se të vendosen në vijën e frontit në Ukrainë. Ministria e Jashtme ruse nuk iu përgjigj pyetjeve të transmetuesit amerikan për numrin e nepalezëve të rekrutuar nga ushtria ruse dhe sa prej tyre kanë vdekur deri më tani.

Macron shtyn vizitën në Ukrainë për arsye sigurie


Presidenti francez, Emmanuel Macron kishte planifikuar të udhëtonte në Ukrainë më 13 dhe 14 shkurt, por vizita është shtyrë. Kështu shkruan e përjavshmja ekonomike franceze Challenges.

Duke shtuar se pallati Elysee e justifikoi këtë shtyrje “mbi të gjitha me çështjet e sigurisë”.

Do të ishte vizita e parë dypalëshe e Emmanuel Macron, udhëtimi i mëparshëm i të cilit u zhvillua me Mario Draghi dhe Olaf Scholz, shkruan revista sipas së cilës presidenti francez fillimisht do të ndalej në Odessa për një vizitë simbolike në qytetin e ndërtuar pjesërisht nga francezët, përpara se të shkonte në Kiev.

Udhëtimi përfshin edhe një komponent të rëndësishëm ekonomik që lidhet me rindërtimin e vendit, me shpalljen e një fondi prej 200 milionë eurosh të paguara si donacione për projektet civile të kryera nga SME-të franceze.

Kievi deklarata të forta: Ushtria ruse po përdor Starlinkun në zonat e pushtuara


Zyrtarët ukrainas të mbrojtjes kanë pretenduar se forcat ushtarake ruse në zonat e pushtuara në lindje të Ukrainës, janë duke përdorur terminale të shërbimit të internetit të ofruar prej Starlinkut, në pronësi të miliarderit amerikan, Elon Musk.

Dega e Inteligjencës në Ministrinë ukrainase të Mbrojtjes, e ka postuar më 11 shkurt në Telegram një audioincizim të momentit, kur, sipas tyre, është identifikuar komunikimi mes dy ushtarëve rusë, duke pretenduar se kjo është dëshmi e përdorimit të vazhdueshëm të sistemit.

SpaceX, e cila i zotëron terminalet e Starlinkut, ka thënë përmes një deklarate më 8 shkurt në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se “nuk bën biznese të çfarëdo lloji me Qeverinë ruse apo ushtrinë e saj” dhe se shërbimet e saj nuk funksionojnë në Rusi.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se në incizim, zyrtarët rusë janë dëgjuar duke diskutuar për vendosjen e terminaleve në lindje të Ukrainës.

Nuk janë dhënë më shumë hollësi për shkallën e përdorimit, apo se si janë siguruar terminalet.

Zëdhënësi Andriy Yusov, u ka thënë mediave ukrainase më 10 shkurt se kjo çështje i takon një “natyre sistematike”.

Starlinku është një rrjet me mbi 2.000 satelitë në orbitën e Tokës, bashkë me mijëra terminale në terrenet e planetit.

Ai është aktivizuar mbi Ukrainë në fund të shkurtit të vitit 2022, pas shërbimet e internetit janë dëmtuar nga lufta e nisur prej Rusisë.

Prezenca e Starlinkut në Ukrainë, jo vetëm që ka qenë e vlefshme për operacionet luftarake, por ajo ka ndihmuar në rregullimin e infrastrukturës së energjisë dhe komunikimeve, që janë shënjestruar nga Rusia.

Megjithatë, secilën herë e më shumë ka dilema për përkushtimin e Muskut për t’i mbështetur përpjekjet e Ukrainës në luftë.

Musk ka thënë se e ka parandaluar një sulm ukrainas në një bazë ruse më 2022, duke e refuzuar një kërkesë të Kievit për të aktivizuar shërbime të internetit në Detin e Zi, afër Krimesë ukrainase të aneksuar prej Moskës.

Deklaratat e Muskut në shtator të vitit 2023 janë kritikuar ashpër prej Mykhaylo Podolyakut, ndihmësit të presidentit ukrainas, Volodomyr Zelensky.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Nga Milano, Donaldi thur vargjet me të bukura për Borën

Story i radhës

Less vjen me një deklaratë: Serbia ndodhet në një pozitë të vështirë

Të fundit nga