“Po bëjmë një luftë të shenjtë”/ Habit ish-Presidenti i Rusisë: Po përballemi me Satanin në Ukrainë
Ish-presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev ka pohuar se Moska po bën një luftë të shenjtë kundër djallit, Satanit dhe paralajmëroi se Moska është në gjendje t’i dërgojë armiqtë e saj në ferr.
Në një mesazh për shënimin e Ditës së Unitetit Kombëtar të Rusisë më 4 nëntor, Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se detyra e atdheut ishte “të ndalojë sundimtarin suprem të ferrit, çfarëdo emri që ai përdor – Satana, Lucifer ose Iblisi”.
Konflikti, i cili filloi tetë muaj më parë me një pushtim të paprovokuar nga forcat ruse të fqinjit të tij, ka vrarë mijëra, ka zhvendosur miliona, ka tronditur ekonominë globale dhe ka rihapur ndarjet e kohës së Luftës së Ftohtë, si frika e luftës bërthamore.
Edhe pse ish-presidenti nuk e përmendi Ukrainën në videon e tij, komentet e tij ishin kërcënimi i fundit i fshehur i përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore nga Rusia, e cila ka pësuar pengesa të shumta në fushën e betejës që kur Putin filloi pushtimin.
Ukraina përgatitet për luftë të përgjakshme në Kherson
Disa shpërthime janë njoftuar në qytetin jugor të Khersonit, ndërsa ushtarët ukrainas po përgatiten për një betejë të ashpër për të rimarrë nën kontroll portin strategjik në bregun perëndimor të lumit Dnipro.
Rusia ka rritur numrin e banorëve të evakuuar nga zona e konfliktit dhe ka pranuar përkeqësimin e situatës në rajonin e Kherson-it. Të paktën 70,000 civilë janë zhvendosur tashmë nga qyteti i Khersonit, që ndodhet në rajonin me të njëjtin emër, të cilin Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme.
Mediat pro-Kremlinit kanë njoftuar se trupat ruse e kanë zhvendosur komandën qendrore, 80 kilometra në juglindje dhe disa kanë marrë me vete statujat prej bronzi të komandantëve rusë të shekullit të 18-të.
Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, gjenerali Valerii Zaluzhnyi njoftoi të premten se forcat ruse kanë trefishuar intensitetin e luftimeve në pjesë të caktuara të frontit, me deri 80 sulme në ditë.
Shtabi i Përgjithshëm ukrainas njoftoi se forcat ruse aktualisht janë duke i përqendruar operacionet sulmuese në drejtim të qyteteve Bakhmut, Avdiivka dhe rajonit perëndimor të Donetskut./VOA
Çfarë duhet bërë nëse Ukraina fiton luftën dhe Putini rrëzohet nga pushteti
Po sikur kundërsulmi aktual i Ukrainës të çojë në fitoren e luftës? Po sikur Rusia ta pranojë në fund se lufta është futur në një ngërç, ose se për të është e humbur, dhe ta largojë nga pushteti Vladimir Putinin? Kjo mund të sillte një mundësi të rrallë për të korrigjuar linjat e shtrembëruara kufitare të Evropës, dhe për të arritur vendosjen e një paqeje dhjetëvjeçare midis Rusisë dhe Perëndimit.
Por që të ndodhë kjo, Perëndimi duhet të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Rusisë me sanksionet, dhe t’i rezistojë tundimit për të qenë serish tolerant. Moska e kupton se tek e fundit ka në dispozicion vetëm 2 opsione: të ringjallë lidhjet e saj me Evropën ose të lidhë një aleancë të ngushtë me Kinës. Kjo e fundit do të ishte një makth strategjik, ushtarak, kulturor dhe fetar. Ndërsa e para duhet të kërkojë lëshime të rëndësishme.
Ja cilat janë çështjet më thelbësore që duhen adresuar:
Së pari, është rindërtimi i Ukrainës. Qeveria ruse, bizneset dhe oligarkët duhet të paguajnë një dëmshpërblim prej qindra miliarda dollarësh për të riparuar dëmet e mëdha në infrastrukturë të shkaktuara nga pushtimi.
Së dyti, vendosja e kufizimeve ushtarake. Rusia duhet të urdhërohet me traktat që për 50 vite të mos mbajë ndonjë ushtri, apo anije detare ushtarake, dron apo avion ushtarak në Detin Baltik, Detin e Zi apo Detin Azov.
Po ashtu ajo duhet të tërheqë të gjitha njësitë dhe armët e saj ushtarake dhe paraushtarake brenda të paktën 90 km nga kufijtë e saj perëndimorë, nga Finlanda në veri, deri në Gjeorgji në jug, përfshirë kufirin me Bjellorusinë. Pasi Rusia të ketë përfunduar këto tërheqje, edhe NATO duhet të fillojë një tërheqje të ngjashme të forcave të saj larg kufirit rus.
Së treti, duhen gjykuar krimet e luftës. Rusia duhet të përballet me ndëshkime për mizoritë e saj gjatë kohës së luftës. Ajo duhet të dorëzojë tek gjykatat ukrainase çdo ushtar ose civil rus të përmendur në një aktakuzë për krime lufte, por edhe oficerët komandues të çdo njësie ushtarake ruse të identifikuar si autorë të një krimi lufte.
E njëjta gjë vlen edhe për mercenarët. Ata kanë të drejta të kufizuara sipas ligjit ndërkombëtar, dhe mund të ndiqen penalisht për veprimet e tyre në fushën e betejës. Dorëzimi i mercenarëve në Ukrainë për gjykim dhe ndëshkim mund të pengojë shërbimin e mercenarëve në konfliktet e ardhshme.
Lexo lajmin e plotë KËTU.