Autoritetet në Lituani kanë filluar të çmontojnë gjashtë statuja gjigante të epokës sovjetike, që qëndrojnë në një varrezë në kryeqytetin Vilnius.
Punëtorët e ndërtimit rrethuan të martën shëmbëlltyrat prej graniti, të larta gjashtë metra, të ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe në varrezat e qytetit Antakalnis, gati për heqjen e tyre të plotë në javët e ardhshme.
“Ne do ta bëjmë këtë me respekt. Sigurisht, varret nuk do të shkatërrohenˮ, deklaroi kryetari i bashkisë së Vilniusit, Remigijus SimaSius, duke iu referuar varrimit të 3 mijë ushtarëve që ranë dëshmorë në Luftën e Dytë Botërore, shkruan ATSh.
“Ne do të pastrojmë veten nga ky simbol sovjetik. Një ditë e lumtur, një moment i lumtur”, shtoi ai.
Sipas informacioneve, administrata e qytetit planifikon t’i transferojë statujat në Muzeun Kombëtar të Lituanisë, pasi ato të çmontohen.
Pllakat dhe monumentet përkujtimore sovjetike janë hequr tashmë në disa vende në Lituani, pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, republika baltike u pushtua në mënyrë alternative nga Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania.
Pas përfundimit të luftës, ajo mbeti pjesë e pavullnetshme e Bashkimit Sovjetik, deri në vitin 1990.