“Lista e zezë e SHBA-së” / Analisti zbulon arsyen pse Kurti po refuzon Limajn për koalicion

June 6, 2025
min lexim

Mungesa e një koalicioni paszgjedhor mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe ndonjërës nga partitë në Kosovë, ka bërë që për herë të 27-të të dështojë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Edhe pse në media u raportua, dhe vet Kurti e pranoi se kishte bisedime për një koalicion me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur.

E shkak për këtë, sipas Kurtit, është bërë kërkesa e Limajt për ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit, gjë që është refuzuar nga kreu i Vetëvendosjes.

Ndërsa vet Limaj disa herë ka paralajmëruar se shumë shpejt do të krijohet shumica parlamentare, por nuk bëri të ditur nëse ka hequr dorë nga kërkesa e tij për ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit, synim ky i Nismës Socialdemokrate.

Por analisti Faton Mehmeti, për “Bota sot” thotë se arsyeja pse Kurti po e refuzon Limajn, mund të jetë përfshirja e këtij të fundit në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Image

Faton Mehmeti

“Sa për Limajn është natyrisht çështje politike dhe është e ligjshme kërkesa e tij dhe synimi i tij për ta marrë postin e kryeparlamentarit. Është gjithçka politike, por ajo që nuk duhet me pranuar Kurti është që Limaj ta marrë këtë post, për shkak se një njeri që është në listën e zezë të SHBA-së me udhëheq institucionin më të rëndësishëm, Kuvendin, është e pafalshme. Kjo reflekton keq edhe në pasqyrën e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Dhe kjo mendoj është arsyeja pse Kurti nuk po pranon koalicion me Nismën,” shprehet Mehmeti.

Sipas tij, Kurti nuk e ka synim koalicionin me Nismën, kur dihet se Limaj pas vetes ka vetëm dy deputetë.

“Nga ana e Limajt është krejt korrekte dhe politike, ani pse i ka veç tre deputetë. Mirëpo Kurti nuk e ka synim të bëjë koalicion me Limajn, më tepër e ka pasur synim që t’i përçajë me Haradinajn, në mënyrë që në rast se shkohet në zgjedhje të reja, asnjëri nga ta mos ta kalojë pragun zgjedhor,” thekson Mehmeti.

“Kështu që ta shohim në fund se loja e kujt po triumfon: a po triumfon loja e Kurtit që t’i përçajë dhe të shkojmë në zgjedhje nacionale, apo po triumfon këmbëngulja e Limajt për postin e kryeparlamentarit. Por po e them që në rast se Limaj merr postin, nuk do t’i bënte aspak nder Kosovës, duke e marrë parasysh të kaluarën e tij, ku është në listë të zezë të SHBA-së, si dhe pas vetes ka vetëm dy deputetë,” përfundon analisti Faton Mehmeti.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

Story i mëparshëm

Kurani i rrallë i xhamisë së Prezës, dhuratë nga presidenti turk Erdogan

Të fundit nga

sqmken
ShkoLartë