Lista e zezë do të pasurohet me emra të rinj, ekipi hetues nga SHBA-ja në Shkup!

min lexim

Shkup, 14 dhjetor – Lista e zezë në fakt nuk është për nga ngjyra e zezë, është e bardhë por e mbushur me udhëheqës për të cilët vlerëson departamenti i SHBA-ve se kanë veprimtari të zezë. Në skanerin Amerikan nuk ka dallime etnitetesh apo aktivitetesh, secili person me veprimtari të zezë futet në këtë listë të bardhë e cila pastaj quhet “lista e zezë”. Në fund të nëntorit në Maqedoninë e Veriut ka arritur një ekip hetuesish i dërguar nga Uashingtoni për të luftuar korrupsionin në vend, mbase e përshëndetën të gjithë politikanët por jo edhe të gjithë iu gëzuan këtij lajmi. Tani mësohet se në mesin e këtij ekipi janë pjesëmarrës edhe dy anëtarë të posaçëm me përvojë për të monitoruar listat e sanksioneve dhe kandidatët e mundshëm për listat e zeza financiare të SHBA-së, shkruan Zhurnal.

 

A do të zgjerohet lista e zezë e SHBA-ve me emra të tjerë nga Maqedonia e Veriut?

Zëvendësndimës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pati paralajmëruar se SHBA-ja do të sanksionojë edhe politikanë të tjerë në këtë rajon, pas shpalljes së ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha “persona non grata”(person i padëshiruar). Këto paralajmërime po rezultojnë të jenë të sakta pas arritjes së një ekipi hetuesish nga SHBA-ja në Shkup, në mesin e të cilëve janë dy ekspertë të posaçëm për kandidat potencial që duhet të futen në listën e zezë.

Mbështetja logjistike ofrohet nga ambasada e SHBA-së dhe mbështetje specifike në terren ofrohet nga një përfaqësues diplomatik për sundimin e ligjit dhe asistencën profesionale. Ekipi është pjesë e OFAC, pra Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja.

Zyra e OFAC është pjesë e Departamentit Amerikan të Financave dhe synon të monitorojë zbatimin e sanksioneve që administrata amerikane ka vendosur ndaj individëve dhe kompanive. Bëhet fjalë për sanksione financiare, ndalime të transaksioneve për dhe nga personat e vendosur në këtë listë, si dhe ndalime për të hyrë në Shtetet e Bashkuara apo hapjen e kompanive atje.

Kujtojmë që në prill të këtij viti nga Maqedonia e Veriut u shtuan dy emra në listën e zezë, Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka shpallur non grata ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, si dhe ish shefin e policisë sekrete, Sasho Mijallkov.

Nikola Gruevski (Gruevski) është dënuar dhe mbetet i dyshuar në disa çështje korrupsioni, dhe është akuzuar për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016. Ai e ka shmangur vazhdimisht arrestimin e vet për dënimin e vitit 2018 nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për akuza të lidhura me korrupsionin, gjë e cila paraqet një pengesë serioze për llogaridhënien për korrupsionin dhe aktivitetet e lidhura me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Gruevski është pronar dhe drejtues i kompanisë hungareze I.C.I.C. KFT, e cila është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Pecel, Hungari.

Ekipi i sapoardhur i hetuesve nga Uashingtoni në Shkup, janë duke u hetuar disa marrëveshje me toka shtetërore në Shkup, tokë e blerë nga kompania e këtij zyrtari dhe politikani shumëvjeçar që aktualisht është në strukturën qeverisëse. Tashmë ka një para hetim aktiv për të njëjtin rast të deputetit aktual, për të cilin amerikanët janë të interesuar dhe po përgatitet një ekspertizë financiare për paratë e përdorura për atë projekt të blerjes së tokës shtetërore.

Prandaj, pas këtij angazhimi të këtij ekipi pritet që kësaj liste të zezë t’i shtohen edhe emra të rinj që janë të përfshirë në afera korruptive. Mbase edhe qëllimi kryesor i këtij ekipi hetuesish nga Uashingtoni në Shkup është kryesisht të luftojnë korrupsionin, dhe të hapin rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, që me vite të tëra njëra ndër pengesat kryesore krahas problemeve me shtet fqinjë ka qenë edhe niveli i lartë i korrupsionit në vend.

SHBA-të dhe BE-ja të interesuara të pastrojnë Ballkanin Perëndimor nga njerëz të korruptuar-

Sipas euroambasadori Dejvid Gir në Maqedoninë e Veriut, fjalët e mira nuk mjaftojnë në luftën kundër korrupsionit, institucionet shtetërore duhet të punojnë së bashku për ta reduktuar vëllimin e korrupsionit, të vendosin ligje dhe rregulla të sjelljes dhe sanksione për sjellje korruptuese, por edhe të zbatohen dhe kryhen këto masa.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj politikanëve në Ballkanin Perëndimor lidhur me dyshimet për përfshirjen e tyre në korrupsion. Në maj të vitit 2021, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u shpall “persona non grata” (person i padëshiruar) për shkak të, siç tha Uashingtoni, përfshirjes në korrupsion të gjerë.

Ndërkaq, më 5 janar 2022, SHBA-ja zgjeroi sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, për përfshirje në korrupsion dhe minimin e stabilitetit të Bosnjës dhe rajonit. Në prill të po të njëjtit vit në listë të zezë janë futur edhe Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkov, dhe kjo është dëshmi se lista e zezë është hapur për të korruptuarit nga Ballkani Perëndimor viteve të fundit.

Kujtojmë që, nga politikanët aktiv në Maqedoninë e Veriut në këtë listë të zezë që veçse kanë qenë më herët janë kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, dhe Lube Boshkovski nga LSDM, por tani këta nuk janë të vetmit. Dhe, nuk do të mbeten vetëm kaq sepse pritet të zgjerohet edhe më shumë pas angazhimit direkt të ekipit me ekspertë të ardhur nga Uashingtoni në Shkup. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

​Përkujtohet rënia e Mujë Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tij

Story i radhës

Serbët me gjashtë kamionë kanë bllokuar rrugët, ku janë 60 mijë veteranët?!

Të fundit nga