Një shtetas i Bosnjës, i arrestuar në lidhje me arratisjen e biznesmenit rus, Artyom Uss, nga Italia, është liruar dhe tani po bashkëpunon me hetuesit italianë.
Prokurorët amerikanë, ndërkaq, kanë hequr dorë nga kërkesa për ekstradim e Vladimir Jovançiq, i cili po ashtu përballet me akuzë në Shtetet e Bashkuara se ka ndihmuar Ussin që të arratiset në mars të vitit 2023.
Lirimi i Jovançiqit nga paraburgimi në Kroaci, dhe ndalimi i procedurës së ekstradimit nga SHBA-ja – veprime për të cilat nuk ishte raportuar më herët – janë zhvillime të vogla, por të rëndësishme në hetimin që po vazhdon lidhur me atë që Uss – djali i një guvernatori rus – arriti të largohej nga Italia para se të ekstradohej në SHBA.
Uss ishte arrestuar nga Italia pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte ngritur akuzë ndaj tij për mbikëqyrje të një rrjeti trafikimi, që kishte transportuar teknologji ushtarake perëndimore në Rusi. Disa prej këtyre teknologjive përfunduan duke u përdorur në fushëbetejën në Ukrainë.
Arratisja e tij turpëroi autoritetet italiane dhe nxiti kritika nga kryeministrja Giorgia Meloni, e cila tha se kishte pasur “anomali” në vendime që çuan në arratisjen e Artyom Uss.
Jovançiq, 53 vjeç me shtetësi të Bosnje e Hercegovinës, është një prej tetë personave që prokurorët italianë kanë ngritur akuza në lidhje me arratisjen e Ussit.
Ai ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2023 në Zagreb pasi prokurorët amerikanë siguruan një padi nga një juri e madhe për lidhjet e tij me arratisjen.
Që atëherë, Jovançiq ka bashkëpunuar me prokurorët italianë, duke u ofruar dëshmi në të dy raste.
Më vonë gjatë atij muaji, megjithatë, Jovançiq u lirua nga paraburgimi në Kroaci dhe u ekstradua në Itali, pasi arriti një marrëveshje për lirim, tha avokati i tij kroat, Gordan Preglej për Radion Evropa e Lirë. Kushtet e kësaj marrëveshjeje kërkojnë që ai të bashkëpunojë me zyrtarët italianë dhe për tre vjet të shërbejë në komunitet, tha Preglej.
Lirimi i tij po ashtu ka përfshirë edhe një marrëveshje me prokurorët amerikanë për të ndërprerë procedurat e ekstradimit.
Një zëdhënës i zyrës së prokurorit në qarkun lindor të Nju Jorkut konfirmoi se procedurat për ekstradimin e Jovançiqit janë ndërprerë, por shtoi se akuzat ndaj tij ende janë në fuqi.
Ndërkaq, një zëdhënës i zyrës së prokurorëve në Milano nuk ka komentuar.
Ku është Artyom Uss?
Uss, babai i të cilit ishte guvernator në rajoni siberian të Krasnojarskut dhe aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, u largua nga arresti shtëpiak në periferi të Milanos ë 22 mars 2023.
Ai dhe personat që e ndihmuan të arratisej udhëtuan drejt lindjes, përmes Sllovenisë, Kroacisë për në Serbi. Më pas ai u kthye në Krasnojarsk.
Autoritetet italiane po tentojnë të identifikojnë dhe arrestojnë personat e përfshirë në arratisje.
Përveç Jovaçiqit, edhe persona të tjerë janë arrestuar apo ndaluar, përfshirë edhe djali i tij, Boris, besohet se është i arrestuar në Itali. Po ashtu, në mesin e tyre është edhe një slloven, që u arrestua në Lubjanë.
Gjykata e qarkut në Lubjanë tha për REL-in se Matej Janeziq është liruar nga paraburgimi dhe është ekstraduar në Itali.
Zyrtarët italianë po ashtu kanë ngritur akuzë ndaj biznesmenit serb, Sërxhan Loliq.
Pothuajse tre javë pasi dyshohet se ka ndihmuar Ussin të largohet nga Italia, Loliq udhëtoi në Polin e Veriut, përmes Krasnojarskut i shoqëruar nga zyrtarët e lartë qeveritarë të këtij rajoni dhe zyrtarë të tjerë rusë.
Aktualisht nuk dihet se ku ndodhet Loliq. Por, sipas dokumenteve gjyqësore të Italisë, ai ka dorëzuar një dëshmi të shkruar te prokurorët italianë lidhur me personat që ndihmuan Ussin të arratisej.
Disa nga dëshmitë duket se kanë ndihmuar që zyrtarët italianë të kryenin arrestimin e fundit për të cilin njoftuan më 14 qershor. Ata thanë se arrestuan Dmitry Chirakadze, biznesmen rus që jeton në Zvicër dhe kontrollon një hotel të lidhur me Ussin.
Chirakadze, që u arrestua teksa kishte ateruar në një aeroport të Romës, po lufton kundër urdhrit për paraburgim të autoriteteve.
Autoritetet italiane po ashtu kanë ngritur akuzë ndaj gruas së Ussit, Maria Yagodina, e cila po ashtu dyshohet të ketë pasur lidhje me arratisjen.
Ajo dhe Uss besohet se janë në Rusi, me gjasë në Krasnojarsk. Sipas raportimeve të mediave ruse pas arrestimit të Chirakadze, Uss ka konfirmuar se lidhjet e tij biznesore me Chirakadze.
SHBA-ja ka ofruar 7 milionë dollarë shpërblim për informacionet lidhur me arratisjen e Artyom Uss./REL
Burimi: botasot.info