Nga Lira Gjika:
Cili është roli i gjyshes? Të rrisë nipat dhe mbesat? Jo, ata duhet t’i rrisin prindërit e tyre. Gjyshja duhet të ndihmojë të rinjtë të përballojnë dhe të ndërtojnë rutinën e re të të jetuarit.
Gjyshja e mirë vazhdon të jetë nënë, për vajzën, apo nusen, që sapo është bërë nënë. E inkurajon nënën e re, që çdo gjë mund dhe duhet t’ia bëjë vetë fëmijës. Ajo e nxit dhe e siguron, se është në rrugë të mbarë, sepse kështu i ka ndodhur edhe asaj.
Gjyshja e mirë nuk i thotë nënës së re, “ti s’di” dhe mund ta dëmtosh fëmijën, meqenëse nuk di, kështu, do përkujdesem un. Kjo mënyrë është vetëm e dëmshme, si për fëmijën ashtu edhe për nënën e re.
Fëmija do të rritet nga nëna e tij, sepse vetëm me atë, nënën, mund të ndërtojë atë lloj sigurie dhe besimi për jetën, që bën të mundur, një jetë sa më pak problematike në të ardhmen.
Nëna e re do të humbasë kohën e çmuar, pasi fëmija nuk ka kohë të humbë kur vjen në këtë jetë. Duhet të ndërtojë marrëdhënien me nënën, për të ndërtuar sigurinë e besimin, por nëna e re nuk është gati, sepse është e trembur.
Këtu duhet ndihma e gjyshes, të mos e lerë vetëm nënën e re dhe ta inkurajojë. Të nxitë babanë të jetë pjesë e rritjes së fëmijës së tij së bashku me gruan e tij, nënën e re. Kjo është detyra e gjyshes, dhe jo të pretendojë rritjen e fëmijës.
Burimi: GAZETA.MK