Qeveria nënshkroi këtë të hënë një marrëveshje për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit me kompaninë 4iG.
“Është një projekt marramendës për nga impakti dhe nga vlera që do të krijojë. Do të kthehet në një pikë kyçe për transportin e shpejtë dhe të sigurt të të dhënave përmes një fibre optike lidhëse mes Egjiptit dhe Shqipërisë, duke i dhënë mundësi vendin të garantojë një sukses në këtë rrugë të re digjital të Mesdheut për një sërë vendesh të Europës Qendrore.
Është një projekt i rëndësishëm edhe për besimin e sipërmarrjes që rritet vit pas viti”, u shpreh kryeministri Edi Rama për marrëveshjen.
Rrjetet kabllore me fibër optike janë autostradat e komunikimit digjital dhe falë zbatimit të këtij projekti do të bëhet e mundur një lidhje ndërkontinentale nënujore, ku Shqipëria do të ketë një pozicion kyç në mundësimin e kësaj lidhjeje strategjike, u shpreh Zv.Kryeministrja dhe njëherazi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.