Ballafaqimi mes Gjilanit dhe Dritës do të luhet nesër në orën 13.00, në kuadër të javës së 16-të të elitës së futbollit të Kosovës.
Derbi i madh i Kosovës, i dy skuadrave të një qytetit, luhet në fushën ndihmëse.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, ka thënë se ndonëse derbi pa tifozë është i zbehtë, brenda skuadrës ndihet rëndësia e ndeshjes.
“Mendoj se derbi pa tifozë është shumë më i zbehtë, por brenda ekipit e dijmë se sa vlerë ka ky derbi dhe kjo fitore. E dijmë se tifozët nga kudo që janë do ta shikojnë ndeshje. Mirëpo, brenda në stadium nëse nuk ka atmosferë dhe adrenalin është mungesë e madhe, por ne jemi të përgatitur edhe për këtë gjë. Pavarësisht mungsës së tifozëve, ne duhet ta pranojmë këtë fakt sepse nuk është punë e jona dhe duhet të fokusohemi vetëm te futbolli.
Edhe derbin e kaluar e kemi zhvilluar pa shikues, por duhet të pajtohemi me këtë fakt sepse nuk kemi zgjidhje tjetër.
Prandaj, duhet që nesër ta bëjmë maksimumin tonë, ta fitojmë ndeshjen për tifozët tanë kudo që janë”, ka thënë Limani.
Më tej ka theksoi faktin se në mungesë të stadiumit, derbi lokal po zbehet nga një pasuri që e kishte qyteti.
“Në këto përballje nuk merret parasysh as pozita aktuale dhe pikët, sepse në fushë është luftë e madhe. Në mungesë të infrastrukturës e stadiumit është e dhimbshme që kjo pasuri e qytetit po zbehet”, ka përfunduar Limani.