Ligji për Shëndetin Mendor i pazbatueshëm, formohet grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit

min lexim

Ligji për Shëndetin Mendor po konsiderohet jofunksional dhe i pazbatueshëm në të gjitha institucionet. Institucioni i Avokatit të Popullit, deputetë e njohës të fushës, kërkojnë që me urgjencë të ndryshohet ky ligj. Madje, në shumë pika thuhet se po bëhen edhe shkelje e të drejtave të pacientëve të cilët janë të vendosur në institucionet ku trajtohen rastet e tilla. Nga Ministria e Shëndetësisë deklarojnë për KosovaPress, se është formuar grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit për shëndetin mendor.

Deputeti Burim Meta, i cili kryeson grupin punues në lidhje me këtë ligj, thotë se si i tillë ka ngecur. Ai po ashtu për, shton se kanë propozuar 12 rekomandime dhe zhbërjen e këtij ligji.

Meta: Kemi gjetur parregullsi dhe moszbatueshmëri pothuajse në të gjitha institucionet

“Ne si Komision për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, është vendosur që pasi që kemi parë mos-funksionimin e Ligjit Mendor dhe duke pasur parasysh nevojën imediate në zbatueshmëri të ligjit, duke ditur që shëndeti mendor i qytetarëve tanë edhe nga pandemia pothuajse është rënduar, kemi hyrë në hulumtim dhe është vendosur që unë ta kryesoj një grup hulumtues të tillë. Kemi gjetur parregullsi dhe moszbatueshmëri pothuajse në të gjitha institucionet ku fushëveprimtaria e tyre përcaktohet dhe rregullohet përmes këtij ligji. Është një ligj jofunksional, deri më tani nuk është zbatuar pothuajse asnjë nen i kësaj”, thotë ai.

Deputeti nga “Lista Guxo”, thotë se po presin që Ministria e Shëndetësisë të formojë një komision të ekspertëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor.

Meta: Departamentin e Shëndetit Mendor ta udhëheqin profesionistë të shëndetit mendor

“Do të dëshiroja që edhe Departamentin e Shëndetit Mendor që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë ta udhëheqnin profesionistët e shëndetit mendor, dhe jo të tjerët. Në mënyrë që të kemi impakt sa më pozitiv për këtë ligj, në mënyrë që të jemi sa më afër qytetarëve dhe të kujdesemi më shumë për ta”, shton Meta.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se është formuar grupi punues për hartimin e koncept-dokumentit.

“Aktualisht Ministria ka themeluar grupin punues për hartimin e koncept dokumentin për shëndetin mendor, dhe ky dokument është duke u hartuar nga ekspertet e fushës. Grupi përmes koncept dokumentit në hartim e sipër, do ta përcaktoj politikën e re për shëndetin mendor, pa përjashtuar mundësinë edhe te ndryshimit te ligjit. Pra kjo çështje është duke u trajtuar”, thuhet në përgjigjen për KosovaPress.

E neuropsikiatri Sami Rexhepi thotë se është vonuar shumë ndryshimi i këtij ligji. Sipas tij, urgjencë është trajtimi i detyrueshëm.

Rexhepi: Urgjencë është që të definohet trajtimi i detyrueshëm

“Urgjencë është trajtimi i detyrueshëm të definohet shumë më mirë edhe të jetë konform konventave ndërkombëtare, për shkak se kemi pasur numër të madh të vërejtjeve por edhe problemeve në trajtimin e klientëve tanë. Se nuk e kemi atë të drejtë të trajtimit të detyrueshëm, por jemi përgjegjës për trajtimin e personave që nuk janë kritik për gjendjen e vet e në anën tjetër paraqesin rrezik për vetën e vet apo për rrethin”, deklaron Rexhepi.

Ai shton se pengesë e madhe e zhvillimit të shërbimeve shëndetësore është legjislacioni dhe infrastruktura.

Rexhepi: Prishtina e ka vetëm këtë qendër

“Prishtina e ka vetëm këtë qendër për shëndet mendor dhe një qendër për shëndet mendor në Podujevë, me dy shtëpi integruese ku i kemi nga 10 klientë të shtrirë që marrin shërbime 24 orëshe në Fushë Kosovë dhe në Drenas. Është shumë pak karshi nevojave, duke ditur që Prishtina mbulon 1/3 e territorit të Kosovës dhe 1/3 e popullatës. Kjo është një pengesë shumë e madhe e zhvillimit të shërbimeve shëndetësore”, shton ai.

Lulkuqe Gashi nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës në Institucionin e Avokatit të Popullit, thotë se me ligjin aktual po bëhen shkelje të drejtave të njeriut.

Gashi: Ka pika ku bëhen edhe shkelje e të drejtave të pacientëve

“Ka mospërputhje të ligjeve mes Ligjit për Shëndetin Mendor dhe Ligjit për Procedurë Jokontestimore, ku pikërisht në këto pika edhe bëhen shkelje të të drejtave të pacientëve apo personave të vendosur në këto institucione…realisht personat e vendosur në mënyrë të pavullnetshme në institucionet shëndetësore duhet ta njoftojnë gjykatën brenda një afati sa më të shkurt. Mirëpo, në praktikë kjo nuk ndodhë. Gjykata nuk njoftohet dhe përgjigja e autoriteteve shëndetësore është për shkak të mos reaktivitetit të gjykatave ne edhe nuk i njoftojmë”, shprehet ajo.

Madje, ajo theksoi se ky ligj duhet të plotësohet dhe ndryshohet në disa pika dhe të nxjerrën aktet nënligjore në disa pika.

Në raportimin me 12 rekomandime të Komisionit për Shëndetësi thuhet se fëmijët dhe të rriturit me probleme të shëndetit mendor trajtohen në të njëjtin vend, nuk ka privatësi për dy gjinitë dhe se nuk ka institucion për trajtimin e sëmundjeve të varësisë. 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Besart Ibraimi dy vite në KF Struga Trim Lum

Story i radhës

“Partia e veprave të zeza”- Berisha ironizon socialistët: Festojnë sot përvjetorin e ndërrimit të emrit!

Të fundit nga