6
Shkup, 3 janar – Nga rreth 2.500 raste të fekondimit in-vitro, rreth 1.000 janë banorë të vendeve fqinje e më larg, njoftoi Fondi i Sigurimit Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut. Kufizimet ligjore për moshën e gruas, por edhe përvojat e mira në spitale, janë arsye pse të huajt bëjnë fekondim artificial në këtë shtet.
“Doktor, vetëm për t’ju njoftuar se si rezultat i punës tuaj kam lindur binjakë, një djalë dhe një vajzë dhe ju falënderoj për këtë. Përshëndetje nga Serbia”, i ka shkruar shtetasja serbe, Dunja S., një mjeku nga spitali ‘Plodnost’ në Manastir, ku kanë kryer fekondimin e asistuar biomjekësor – të njohur gjerësisht si fekondim in-vitro (IVF).
Përmes kësaj procedure, qeliza vezë dhe spermatozoidi bashkohen në kushte laboratorike dhe të fekonduara kthehen në trupin e gruas për të nisur një shtatzëni.
Në fund të nëntorit, një grua 61-vjeçare nga Shkupi, lindi një djalë të shëndetshëm, pasi për 37 vjet nuk kishte arritur të mbetej shtatzënë. E ëma kishte pasur dhjetë fekondime të pasuksesshme in-vitro, dhe po kaq aborte spontane. Ajo kishte kryer më parë tri ndërhyrje gjinekologjike, prej të cilave dy në Beograd, dhe një në klinikën gjinekologjike në Shkup.
“Kemi pacientë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, kemi edhe nga më larg, tërheqim pacientë nga kudo. Më së shumti, ata vijnë për shkak të mundësisë te ne për të përdorur material të dhuruar, për shkak të fekondimeve in-vitro të pasuksesshme në vendet ku jetojnë, por edhe për shkak të suksesit tonë”, thotë për Radio Evropa e Lirë, Tashe Tërpçevski, themeluesi i spitalit ‘Plodnost’ në Manastir. Të tilla histori ndajnë të gjitha spitalet private që kryejnë këtë procedurë, pasi në pamundësi për të pasur fëmijë natyrshëm, zgjidhet metoda e fekondimit artificial.
“Sofi po zhvillohet shkëlqyeshëm deri tani, dhe këtë javë filloi të buzëqeshë,” i ka shkruar një paciente nga Spanja një doktoreshe në klinikën ‘Newborn’ në Shkup, ku foshnja ishte fekonduar me metodën in-vitro.
Një mesazh të ngjashëm kishte dërguar edhe një paciente nga Kosova, e cila kishte kryer procedurën e njëjtë në këtë spital të Shkupit, ndërsa ka lindur në Gjermani, ku aktualisht jeton.
Klinika Shtetërore e Gjinekologjisë dhe Akusherisë (IPSH) në Shkup pati një ndërprerje prej tre vjetësh e gjysmë pas pandemisë së koronavirusit, dhe nuk bëri asnjë ndërhyrje in-vitro.
Punën e rinisi para një muaji e gjysmë, dhe tashmë ka paciente që kanë filluar procedurën, konfirmon Irena Aleksioska Pepastiev, drejtoreshë e IPSH-së, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Rritje e konsiderueshme e infertilitetit
“Duke parë në përgjithësi, infertiliteti në vendin tonë dhe në vendet e tjera, është në rritje të konsiderueshme dhe është një problem shumë i madh në riprodhimin modern njerëzor. Çdo vit në departamentin tonë rritet numri i pacientëve, jo vetëm shtetas të huaj, por edhe nga vendi ynë. Kemi pacientë nga Kosova, Serbia, Kroacia, Shqipëria, si dhe nga shumë vende të Evropës, Anglia, Shtetet e Bashkuara…”, thotë mjeku Mitko Ivanovski, shef i repartit për riprodhim të asistuar në Spitalin Klinik ‘Acibadem Sistina’, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ndër faktorët e infertilitetit, tregojnë mjekët, përveç arsyeve mjekësore janë edhe shtyrja e lindjeve pas moshës 30-vjeçare, stresi, ajri i ndotur, dhe vihet re një rritje e konsiderueshme e infertilitetit te meshkujt dhe infertilitetit të pashpjeguar. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka të dhëna statistikore se sa çifte apo gra nuk mund të kenë fëmijë në mënyrë natyrale, sepse nuk mbahet një evidencë e tillë.
Megjithatë, dihet numri i procedurave të kryera in-vitro. Nga rreth 2.500 raste në vit, rreth 1.000 janë nga vendet fqinje dhe më larg, njoftoi Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSHSM), pas një takimi në fillim të tetorit me përfaqësuesit e të gjitha institucioneve shëndetësore me të cilat Fondi ka marrëveshje për këtë procedurë.
Me këtë shifër të pacientëve nga jashtë, Maqedonia e Veriut është bërë një qendër rajonale për fekondim të asistuar, thonë gjinekologët nga spitalet që kryejnë procedurën, e me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.
Më pak kufizime, më shumë mundësi
Ligji maqedonas për fekondimin e asistuar biomjekësor është më liberal në krahasim me ligjet e vendeve të rajonit. Ai nuk ka kufizime për moshën e gruas që mund të nisë këtë procedurë.
Shteti nuk ka bankë spermatozoidesh apo qelizash vezë, por lejon importin e tyre kur është e nevojshme – gjë që në vendet e rajonit është e kufizuar ose e pamundur.
“Te ne nuk ka kufizime në këtë pjesë, kështu që gratë kanë më shumë mundësi të bëhen nëna edhe në vitet e mëvonshme. Ne kemi pasur pacientë nga Bullgaria, Kosova, Shqipëria… secili kërkon fatin e vet, prandaj nëse nuk ka sukses në një vend, shkon në tjetrin. Ndoshta jemi një shtet i vogël, por kemi disa qendra për in-vitro dhe të gjithë ndjekim trendët modernë botërorë në këtë fushë”, thotë për Radio Evropa e Lirë, mjekja Verica Organxhiska nga spitali ‘Dr. Organxhiski’ në Shtip.
Kufizimet në Kroaci, për shembull, janë se procedura in-vitro, me mbështetjen e Fondit të atjeshëm të Sigurimit Shëndetësor, bëhet te gratë deri në moshën 42 vjeçare. Ligji lejon dhurimin e qelizave vezë dhe spermatozoideve, por kjo duhet të jetë procedurë nuk duhet të jetë anonime. Fëmija i ngjizur në këtë mënyrë, kur të rritet, ka të drejtë të dijë identitetin e donatorëve. Mediat kroate shkruanin se kjo e ul ndjeshëm interesin për dhurimin e materialit riprodhues.
Kroacia nuk lejon importimin e qelizave vezë dhe spermatozoideve. Sipas të dhënave të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kroacisë, çdo vit, rreth 300 çifte nga ky vend shkojnë, kryesisht në Maqedoninë e Veriut dhe në Çeki, për të marrë qeliza vezë ose spermatozoide të dhuruara.
Në Serbi, kufiri i moshës për gratë është deri në 45 vjeç, ndërsa për partnerin mashkull nuk ka kufi moshe. Serbia filloi të importojë material riprodhues të dhuruar që nga viti 2022, me mbështetjen e Fondit të atjeshëm të Sigurimit Shëndetësor. Për gratë pa partner, ose çiftet që plotësojnë kriteret, kostoja mbulohet nga shteti. Procedura kushton rreth 7.000 euro.
Mjekët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se në dy vitet e fundit, që kur Serbia lejoi importimin e materialit riprodhues, ka rënë numri i çifteve nga atje, që më parë vinin në Maqedoninë e Veriut për këtë procedurë.
Një kufi moshe për gratë, deri në 42 vjeç, ekziston edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gratë mbi këtë moshë atje, mund të marrin miratim, por me propozim të këshillit profesional nga institucionet shëndetësore.
Kosova ende nuk ka miratuar një ligj për shëndetin riprodhues. Ekziston një projektligj, që nuk është miratuar sepse është kundërshtuar nga disa anëtarë të partisë në pushtet, të cilët nuk duan që gratë e pamartuara dhe partnerët e të njëjtës gjini të kenë qasje në metodën in-vitro. Në Kosovë, më 24 dhjetor është përuruar shërbimi i Frytnimit të Asistuar Mjekësor, në Klinikën e Gjinekologjisë të QKUK-së.
Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se shërbimi i Frytnimit apo Fertilizimit të Asistuar Mjekësor “do të jetë falas për dy herët e para, ndërkaq pas dy herëve të para ai do të kushtojë 670 euro, dukshëm më lirë se shërbimi në sektorin privat që ka çmimin rreth 3 mijë euro”.
Deri më tani, in-vitro më së shpeshti është bërë nëpër klinika private bazuar në një udhëzim administrativ nga viti 2013, i cili parashikon që individët dhe çiftet të kenë të drejtë qasjeje në in-vitro, por nuk parashikon një bankë të materialit riprodhues.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët e Kosovës, mesatarisht, shpenzojnë 5 milionë euro në vit për procedurat e asistuara mjekësore për riprodhim në klinikat private. Sipas një nëne nga Kosova, e cila më parë foli me Radion Evropa e Lirë, kostoja e kësaj procedure është rreth 4.000 euro.
Greqia dhe Bullgaria gjithashtu lejojnë dhurimin e qelizave vezë dhe spermatozoideve. Gratë nga Maqedonia e Veriut shpesh shkojnë në Greqi, pasi ky vend ka edhe një bankë të materialit riprodhues. Për shkak të kësaj rregulloreje, procedura është më e shpejtë se sa në Maqedoninë e Veriut me import nga bankat e huaja, dhe megjithëse është më e shtrenjtë se te ne, thotë mjeku Tërpçevski. Spitalet në Maqedoninë e Veriut që ofrojnë fekondim in-vitro kanë një përqindje të lartë të suksesit dhe çmime më të ulëta, krahasuar me spitalet në shtetet evropiane, që është edhe një arsye më shumë për interesimin e pacientëve të huaj, thonë mjekët që folën për Radion Evropa e Lirë.
“Ne si Maqedoni e Veriut renditemi shumë lart në listën e ESHRE (Shoqata Evropiane për Riprodhimin dhe Embriologjinë Humane) për suksesin në in-vitro, pas Spanjës dhe Greqisë. Për më tepër, jemi më të lirë. Njerëzit vijnë me rekomandimin e dikujt që ka qenë tashmë te ne, lexojnë në forume, shkëmbejnë përvoja. Problemi te ne është se nuk kemi një Regjistër Kombëtar të Donatorëve dhe kjo ngadalëson shumë procedurën. Kalojnë katër – pesë muaj nga momenti kur Komisioni në Ministrinë e Shëndetësisë e miraton, deri kur të arrijë materiali biologjik i dhuruar”, thotë doktoresha Tatjana Gurzhanova nga ‘Newborn Clinic.”
Procedura in-vitro në klinikat private kushton rreth 2-3 mijë euro. Me qeliza vezë ose spermatozoide të importuara, çmimi është përafërsisht dyfish më i lartë. Importohet nga bankat nga Spanja, Ukraina dhe Danimarka.
Për shtetasit maqedonas që plotësojnë kushtet sipas Ligjit për fekondimin e asistuar biomjekësor, kostoja mbulohet nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.
Komisioni për fekondimin e asistuar biomjekësor në vitin 2023 shqyrtoi gjithsej 1.457 kërkesa, tregon raporti vjetor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Prej tyre, 1.238 janë kërkesa për fëmijën e parë, 205 për fëmijën e dytë, 11 kërkesa për fëmijën e tretë dhe tri kërkesa për fëmijën e katërt. Për më tepër, vitin e kaluar Fondi miratoi 95.4 milionë denarë (rreth 1.5 milion euro) për procedurat in-vitro të kryera në tetë institucione shëndetësore me të cilat ka marrëveshje.
Për ata që plotësojnë kushtet, in-vitro mbulohet nga Fondi. Të tjerët që ju drejtohen klinikave private, procedura kushton 2.000-3.000 euro. Për ata me material të dhuruar, çmimi është më i lartë dhe procedura është më e gjatë.
Sipas bashkëbiseduesve të Radios Evropa e Lirë, kalojnë 4-5 muaj nga përgatitja e dokumenteve, marrja e lejes për import, deri te testi i shtatzënisë.
Procedura in-vitro si një e drejtë, për herë të parë u mundësua me mbështetjen e Fondit, në vitin 2008. Pacientet kanë të drejtën e in-vitros deri në tri përpjekje, për fëmijën e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt.
Të siguruarit janë të liruar nga participimi financiar. Të drejtë kanë personat që jetojnë në martesë, që jetojnë jashtë martesës dhe gratë pa partner, të cilave u janë shteruar mundësitë e trajtimit dhe kanë të drejtë për spermë të dhuruar.
BURIMI: zhurnal.mk