Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un tha se në vitin e ri kapaciteti i arsenalit bërthamor të vendit të tij duhet të rritet në “mënyrë eksponenciale” dhe se duhet të zhvillohet një raketë e re balistike ndërkontinentale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të Yonhap të transmetuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA), Kim mesazhin e tij në fjalë e ka përcjellë në mbledhjen e përgjithshme të zhvilluar nga Partia e Punës së Koresë në pushtet për të përcaktuar udhëzimet e politikës kryesore të Phenianit për Vitin e Ri.
Kim bëri thirrje për rritjen e arsenalit bërthamor të vendit “në mënyrë eksponenciale” duke theksuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e prodhimit në seri të armëve bërthamore taktike në një situatë ku Koreja e Jugut është bërë një “armik i pakundërshtueshëm”.
Më tej Kim theksoi se vendi i tij duhet të zhvillojë një raketë të re balistike ndërkontinentale me qëllimin për të forcuar në “mënyrë të vendosur” aftësitë e tij ushtarake dhe që të vendosë sa më parë në orbitë një satelit spiun.
Kim që nga viti 2020 nuk ka mbajtur fjalimin e parë të tij vjetor të Vitit të Ri dhe në vend të kësaj lidhur me objektivat e politikës së vendit të tij për vitin e ri jep mesazhe në mbledhjet e fundvitit të partisë.
– Koreja e Veriut në vitin 2022 ka lëshuar mbi 90 raketa
Koreja e Veriut ka lëshuar më shumë raketa në vitin 2022 sesa në vitet e mëparshme, duke rritur tensionet në Gadishullin Korean dhe Azinë Lindore.
Pheniani ka lëshuar mbi 90 raketa me rreze dhe lloje të ndryshme në drejtimet lindore dhe perëndimore në vitin 2022 ndërsa në fillim të muajit nëntor lëshoi 23 raketa vetëm në një ditë.
Pheniani ka kryer testim të raketës balistike edhe në orët e para të vitit 2023. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, raketa balistike me rreze të shkurtër u lëshua nga rajoni Ryongsong në orën 02:50 me kohën lokale.