Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un u zotua të forcojë më tej lidhjet me Pekinin, duke lavdëruar presidentin kinez Xi Jinping për dërgimin e një delegacioni në festimet e “Ditës së Fitores” të Phenianit, transmeton Anadolu.
Gjatë një takimi të premten me një delegacion kinez, të kryesuar nga anëtari i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Kineze Li Hongzhong, Kim falënderoi Pekinin për ndihmën e tij gjatë luftës koreane në fillim të viteve 1950.
Të dyja palët riafirmuan angazhimin e tyre për të punuar së bashku për të adresuar situatën e ndërlikuar ndërkombëtare, për të zhvilluar miqësinë dhe bashkëpunimin e tyre dhe për të përshpejtuar “ndërtimin socialist”, njoftoi Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.
Pheniani festoi të enjten 70-vjetorin e Ditës së Fitores, duke shënuar armëpushimin e luftës koreane në vitin 1953. Veprimtaria u ndoq gjithashtu nga një delegacion rus i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Sergej Shoygu.
Lufta koreane filloi më 25 qershor 1950 dhe përfundoi pas nënshkrimit të një marrëveshjeje armëpushimi afërsisht tre vjet më vonë, duke i dhënë fund armiqësive, megjithëse një marrëveshje paqeje nuk është nënshkruar kurrë.