Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, ka zhvilluar bisedime në Kajro me kryeministrin etiopian, Abiy Ahmed, mbi konfliktin në Sudan dhe projektin e digës në lumin Nil, transmeton Anadolu.
Bisedimet erdhën përpara një samiti të vendeve fqinje të Sudanit në Kajro, që është planifikuar të mbahet sot për të diskutuar mënyrat e zgjidhjes së konfliktit sudanez.
Presidenca egjiptiane njoftoi se dy liderët diskutuan mënyrat për të zgjidhur krizën në Sudan, për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe midis Egjiptit dhe Etiopisë, si dhe çështjen e digës së Rilindjes së Madhe Etiopiane (GERD).
Egjipti e konsideron digën GERD si një kërcënim ekzistencial për pjesën e tij të ujit nga lumi Nil, burimi i vetëm i ujit të freskët në vend, si dhe dëshiron që Addis Ababa të arrijë një marrëveshje detyruese për mbushjen dhe funksionimin e digës.
Etiopia, nga ana e saj, e konsideron digën si vendimtare për procesin e saj të zhvillimit dhe mohon çdo dëm për pjesën e ujit të Egjiptit dhe Sudanit.
Vite të tëra të negociatave mes dy vendeve nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë përparim në arritjen e një marrëveshjeje për plotësimin dhe funksionimin e digës GERD.
Kryeministri etiopian mbërriti në Kajro dje vonë për të udhëhequr delegacionin e vendit të tij në samitin e fqinjëve të Sudanit.
Që nga muaji prill, Sudani është shkatërruar nga përleshjet midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), në një konflikt që, sipas mjekëve lokal, mori jetën e të paktën 3 mijë civilëve dhe plagosi mijëra të tjerë.