Sulmuesi i Barcelonës dhe lojtari i kombëtares polake, Robert Lewandowski është i bindur se “Topi i Artë” për futbollistin më të mirë në botë do t’i shkojë argjentinasit Lionel Messi nga Paris Saint-Germain vitin e ardhshëm.
“Topi i Artë” për sezonin e kaluar i takoi francezit të Real Madridit, Karim Benzema, i cili humbi Botërorin në Katar për shkak të lëndimit. Messi triumfoi me Argjentinën në Kupën e Botës në Katar.
“Për mua tashmë është e qartë se kush do të marrë çmimin më të madh individual. Është e vërtetë që në garë për çmimin është edhe një lojtar tjetër nga i njëjti klub, Kylian Mbappe, por vetëm njëri prej tyre ka fituar Kupën e Botës dhe ai është Lionel Messi. Ky do të jetë faktori vendimtar dhe Messi ka arritur atë që është më e rëndësishme për të dhe tani ai mund ta shijojë atë”, tha Lewandowski.
Ai ka theksuar se do të dëshironte të luante në të njëjtin ekip me kapitenin e kombëtares së Argjentinës.
“Nuk është në dorën time të vendos, por sigurisht – ne shohim që tani Messi është më shumë një playmaker sesa një sulmues. Ai shënon më pak gola, por asiston më shumë. Ai është bërë një lojtar me të cilin çdo sulmues në botë dëshiron të luajë”, përfundoi Lewandowski.