Kështu e stërmbushur dukej salla në të cilën sot u mbajt kongresi themelues i partisë së re Lëvizja Demokratike.
Me duartrokitje e brohorima mbështetësit prezentë e mirëpritën kryetarin e kësaj lëvizjeje, Izet Mexhitin, i cili u zgjodh kryetar me shumicë absolute të votave.
Në fjalimin tha se vendimi për lëvizjen e re nuk erdhi nga lakmia por nga vetëdija, për të qenë prijës dhe të lëvizin gjërat përpara.
“Nuk na solli këtu inati por koshienca. Nuk na solli lakmia por na frymëzoi vullneti. Nuk u bashkuam për të qenë kundër por për të qenë prijës. Nuk u tubuam nga mllefi, por nga entuziazmi. Nuk lëvizëm nga inercioni personal por nga vendosmëria të lëvizim gjërat përpara për të mirën e përgjithshme përmes kontributit personal. Përgjigja më e saktë megjithatë është në vet emrin e strukturës që themelojmë sot. Nga shumë anë na propozuan që emri të jetë Lëvizja Demokratike. Një emër i tillë nënkupton që jemi në demokraci të mirëfilltë, fuqiplotë, gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese.”- deklaroi Izet Mexhiti – Kryetar I Lëvizjes Demokratike.
I pyetur nëse synimi është çuarja e BDI-së në opozitë, Mexhiti me përgjigje:
“Nuk është synimi për të rrëzuar. Këtu jemi bashkuar për të paraqitur, për ta unifikuar opozitën, për të ndërtuar një platformë serioze jo vetëm për të bërë një diagnozë të situatës politike por edhe për të dhënë ofertat tona në arsim, shëndetësi, kulturë, ekonomi dhe në të gjitha fushat. Këto do të jenë arsyet për fitoren e opozitës shqiptare në zgjedhjet e ardhshme.”- tha Izet Mexhiti – Kryetar I Lëvizjes Demokratike.
Po çfarë presin mbështetësit nga Lëvizja Demokratike?
Fitim. Kurrgjë tjetër.
Mendoni se do të ketë sukses?
100%, boll e patën.
Keni besim te Mexhiti?
Te Mexhiti komplet, te krejt. Krejt i njoh shpirtërisht.
Po ta shohim. Kemi shpresa se do të bëhet diçka më mirë. Edhe se jemi qytetarë të Shkupit. Prej moti këta që na përfaqësojnë janë në politikë. Besoj që kanë njohuri.
Presim gjëra më të mira.
Mendoni se Mexhiti do t’i përfaqësojë qytetarët në mënyrë më mirë?
Mendoj, ndërmjet më të mirët.
Sigurisht, një përparim më të mirë.
Duhet me e bë partinë se është bërë shumë gjatë kjo parti. Rinia me e bë partinë e re…
Mendoni se synimi duhet të jetë dërgimi i BDI-së në opozitë?
BDI-ja patjetër duhet të shkojë në opozitë, nevojiten parti të reja dhe me përparu përpara shqiptarët. Janë korruptuar krejt shqiptarët.
Përndryshe idenë dhe vendimin për të hapur parti të re nuk e mbështetën bashkë-fraksionistët e Mexhitit, Blerim Bexheti, Musa Xhaferi e Nevzat Bejta, të njohur si “grupi i zjarrit”. Ata mbetën brenda BDI-së, e Mexhiti i pyetur se pse ata nuk e vazhduan rrugën me të, vetëm i falënderoi për kohën kur e ngritën zërin dhe tha se tash e tutje hapet një faqe e re e historisë.
Burimi: TV21