Mesfushori i talentuar i Arsenalit, Ethan Nwaneri, ka pësuar lëndim dhe pritet të jetë jashtë fushave për disa javë.
Ai u detyrua të zëvendësohej pas pjesës së parë për shkak të një lëndimi muskulor, në barazimin 1:1 të Arsenalit ndaj Brightonit të shtunën.
Lajmin për lëndimin e anglezit e konfirmoi të hënën trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.
“Fatkeqësisht ai ka pësuar një lëndim dhe do të mungojë për disa javë. Është një dëmtim muskulor”, ka thënë Arteta në konferencë për shtyp.
17-vjeçari Nwaneri konsiderohet prej talenteve më të mëdha te skuadra e Arsenalit.
Në 18 ndeshjet e zhvilluara këtë edicion në të gjitha garat ka kontribuar me pesë gola.
Pjesë e ekipit të parë është nga korriku i vitit të kaluar.
Arteta ndër të tjera theksoi se sulmuesi Kai Havertz është në dyshim për t’u paraqitur në ndeshjen ndaj Newcastle Unitedit.
Të martën nga ora 21:00, Arsenali do ta presë Newcastle Unitedin në gjysmëfinalen e parë të EFL Cup.
Havertzi i ka munguar Arsenalit në dy ndeshjet e fundit për shkak të një gripi.
Burimi: botasot.info