Duket se është një sezon i pafat për pilotin e Ferrari-t, Charles Leclerc. Monegasku, në fakt, ka përfunduar jashtë pistës në xhiron e 18-të të Çmimit të Madh të Francës.
Është hera e tretë në këtë sezon që piloti i kokëkuqes del nga gara kur kryeson garën. Dukej se ai do të merrte një fitore të lehtë ditën e sotme, por fati nuk ka qenë me të.
Në komunikimin radio me ekipin, Leclerc ka shpjeguar se ka patur probleme me pedalin e gazit dhe më pas ka filluar të bërtasë nga zemërimi.
Kjo dalje nga gara e pilotit të Ferrari-t është një mundësi e artë për Max Verstappen që të thellojë diferencat në renditjen e përgjithshme të pilotëve.