Me afrimin e datës së zgjedhjeve, koalicionet mes partive dhe rikthimet janë bërë tashmë pjesë e pandashme e opozitës.
Kështu, gjatë ditës së djeshme kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se janë pajtuar me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të garuar në një listë të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Duke folur për media, Abdixhiku tha megjithatë se marrëveshja me Osmanin nuk është finalizuar ende dhe se ajo duhet të miratohet formalisht në mbledhjen e partisë të shtunën.
“Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm”, tha Abdixhiku.
Kur u pyet nëse Osmani do të rikthehej në LDK si anëtare e partisë apo do të bashkëpunonte me të përmes një partive të veten, Abdixhiku nuk deshi të përgjigjej.
Ndërsa, kujtojmë që Osmani e cila nuk arriti të zgjidhej presidente për një mandat të dytë në mungesë të mbështetjes në Kuvend pasi i mbaroi mandati në prill – ka vendosur të jetë pjesë e garës zgjedhore në qershor.
Ajo nuk ka treguar se si do të garojë, me një parti të re të veten, apo do të rikthehet në LDK pas gjashtë vjetëve.
Megjithatë, e njëjta ka vizituar vazhdimisht qytete dhe vende të ndryshme të Kosovës përgjatë javëve të fundit, duke takuar qytetarë të ndryshëm kështu duke munduar të fitojë votat nga qytetarët.
Mirëpo, sa i besueshëm është një rikthim i Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën e largimit të saj nga kjo parti?
Halili: Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK nuk është i pamundur, por mbetet i vështirë
Nijazi Halili në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se rikthimi i Osmanit është i vështirë për shkak të rrethanave që e njëjta është larguar.

“Kjo marrëveshje e përfolur, nëse konfirmohet, duhet parë me një dozë realizmi politik. Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK nuk është i pamundur, por mbetet i vështirë për shkak të mënyrës dhe rrethanave të largimit të saj, të cilat kanë lënë pasoja politike dhe personale. Megjithatë, në politikë shpesh mbizotëron pragmatizmi mbi historinë”, thotë ai.
Ndër të tjera, njohësi për çështje politike tha se ky bashkim duket më shumë si një strategji për të fituar më shumë vota dhe pushtet, sesa një zgjidhje e sinqertë e problemeve brenda LDK-së.
“Një afrim i tillë më shumë duket si një lëvizje strategjike për të konsoliduar votën dhe për të rritur potencialin elektoral, sesa një reflektim i një stabilizimi të thellë të brendshëm në LDK. Formula e ndarjes së roleve sugjeron një kalkulim të qartë për pushtet, duke synuar maksimalizimin e ndikimit në institucionet kryesore të shtetit.
Në fund, ajo që do të jetë vendimtare është perceptimi publik: nëse kjo shihet si bashkim rreth një vizioni të përbashkët, mund të ketë efekt pozitiv; por nëse perceptohet si marrëveshje e pastër për pushtet, atëherë mund të prodhojë efekt të kundërt tek elektorati”, përfundoi Halili për “Bota sot”.
Maraj: Rikthim i Vjosa Osmanit në LDK
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe opinonisti Milazim Maraj.

Ai thotë se kthimi i Vjosa Osmanit në LDK është i natyrshëm dhe mund të ndihmojë në bashkimin dhe forcimin e partisë.
Analisti gjithashtu beson se, kjo do ta rikthejë LDK-në në një rrugë më të suksesshme, duke u bazuar në përvojën dhe vlerat e saj të mëparshme.
“Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK nga shumë analist dhe madje edhe anëtar të LDK shihet si diçka e pa besueshme ose jo mjaftë funksionale. Këto reagime shpërthen tani pasi që koha kur po ndodhin këto është kohë e një fushate mjaftë të egër, me plotë inate, xhelozi, keqkuptim dhe ndikim në interesa te pa pritur në interesa individuale apo grupore. Kthimi i Vjosës në LDK është mjaftë i natyrshëm. Kthehet në partin e saj nga e cila u largua jo me dëshirën e saj por për shkak të rrethanave që ishin krijuar në LDK.
Reflektimi i Vjosës si dhe i LDK-së për këtë akt duhet të kuptohet si një hap i mirë i mirëkuptimit dhe marrëveshjes në këtë kohë të mosmarrëveshjeve të pakuptueshme të shqiptarëve në këto aktivitete politike të përsëritura pa kuptim. LDK bëri mirë që e kuptoj që rruga e re e zgjedhur nga Lumir Abdixhiku ishtë e pasuksesshme, që u përcoll me humbje të njëpasnjëshme dhe përfundimi i saj ishte i domosdoshëm. Vjosa Osmani kreu mandatin e saj si Presidente e Republikës së Kosovës me sukses.
Është e ngritur profesionalisht dhe ka përvojë politike në LDK. Ka përvojë në udhëheqje dhe krijimin e marrëdhënieve të mira të Kosovës në Botë. Tani LDK do të vazhdoj rrugëtimin e saj në rrugën e Presidentit Rugova. Kjo rrugë doli me shumë sukses në kohët me të vështira si dhe pas lufte në ndërtimin e shtetit demokratik. Formulë e LDK ishte identifikimi i vlerave, sistemimi i tyre në bazë të kompetencave. Më këtë formulë krijoj atmosferën demokratike jo vetëm në parti por edhe në Kosovë. Kjo ishte rruga që Kosovën e solli nga errësira në liri”, u shpreh ai.
Maraj tutje shton se, bashkëpunimi mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së mund ta forcojë dhe stabilizoj partinë, si edhe të ndikojë pozitivisht për Kosovën në politikë dhe ekonomi.
Ai thekson se në politikë rrethanat ndryshojnë, prandaj edhe rikthimi i saj shihet si i mundshëm, sidomos duke pasur parasysh përvojën e saj dhe marrëdhëniet e mira me BE dhe SHBA.
“Ndërsa, LDK u bë partia me e madhe dhe e preferuara nga aleatet tonë. Për këtë lëvizje të LDK drejt bashkëpunimit, mirëkuptimit që do të ndikoj në mirëqenien e Kosovës në të gjitha aspektet dhe planet do të ketë ngritje të rëndësishme. Ky veprim është një reflektim dypalësh, për të arritur kuotat e duhura në planin e jashtëm dhe në ngritjen ekonomike në Kosovë. Shumë pyetje shtrohen sa është e besueshme që Vjosa Osmani të kthehet në LDK duke pas parasysh krijimin e rrethanave të krijuara për largimin e saj.
Në politikë nuk ka pikë. Ndryshimi i rrethanave ndryshon edhe strukturat, marrëdhëniet, koalicionet madje edhe projektet. Marrëveshja e Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdigjikut mund të stabilizojnë LDK. Varët nga qëndrimet e tyre drejt realizimit të projektit të tyre të hartuar për LDK dhe Kosovën. Varët nga rezultatet që do të arrijnë. Por Vjosa është treguar shumë e suksesshme në postin e Presidentes së Kosovës. Relacionet e krijuara në mes të Kosovës dhe BE dhe në veçanti në mes të Kosovës dhe SHBA që janë jetike për Kosovën”, thotë analisti.
Në fund, analisti nënvizon që Kosova ka sfida të mëdha dhe ka nevojë për udhëheqje të fortë.
Ai beson se LDK me Vjosa Osmanin mund të forcohet dhe të krijojë një strategji më të mirë për vendin.
“Kosova është qendër e rëndësishme për BE dhe gjeopolitikën globale. Këtu tani po thyhen interesa të ndryshme për projekte të ndryshme si Ballkani i hapur, Ballkania, ndarje e Kosovës që herë quhet ndarje e herë ndryshim i kufijve etj. Andaj në këto rrethana Kosova ka nevojë për udhëheqje të mençur, të guximshme profesionale dhe marrëdhënie të fuqishme demokratike. LDK tani edhe me Vjosën ka këto kapacitete. Do të ketë shumë projekte për të penguar këtë bashkim, por LDK ka kohën e fundit që tani të mbledh potencialin e vet demokratik, profesional dhe patriotik për të përballuar sfidat. Bashkimi tani me Vjosën nuk duhet të kuptohet vetëm si një pranim i një personi, por si një ndërrim i strategjisë së kësaj partie drejt bashkimit të vlerave njerëzore, shkencore patriotike. Drejt hartimit të projekteve me diapazon dhe vizion të lartë, të studiuara mirë dhe të kontrolluara vazhdimisht për rezultatet e arritura”, përufndoi Maraj për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


