Lazio turpërohet në Danimarkë, pasi pëson një humbje të thellë 5:1 në transfertën ndaj Midtjylland, duke konfirmuar se skuadrat e kryeqytetit Italian nuk kanë raporte të mria me fushat në vendet skandinave.
Një vit më parë ishte Roma që pësonte një humbje 6-1 në transfertën norvegjeze ndaj Bodo/Glimt, teksa atëherë tifozët e Lazios nuk humbën mundësinë të talleshin me rivalët e qytetit, por nuk e kishin imagjinuar kurrë se do të përjetonin shumë shpejt një mbrëmje makthi edhe vetë.
Me dy gola në pjesën e parë dhe tre në të dytën, danezët morën një fitore bindëse, ndërsa golin e vetëm për italianët e Maurizio Sarrit, e shënoi serbi Milinkovic-Savic, me një goditje nga distanca.
Reagon mirë edhe Manchester United, që pas humbjes në ndeshjen e parë përballë Sociedadit, mori fitoren e parë në transfertën ndaj Sheriff Tiraspol, me rezultatin 0-2. Jadon Sancho dhe Ronaldo me penallti, zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë për “djajtë e kuq” të Manchesterit, qqë më pas menaxhuan mirë ndeshjen dhe u larguan me tre pikë.
Befason edhe Ferencvaros, që mori tre pikët falë fitores minimale 0-1 në transfertën ndaj Monaco, me një gol në minutën e 80’, ndërsa Feyenoord fitoi me rezultat tenistik 6-0 ndaj austriakëve të Sturm Grazit.