Rusia nuk ka iluzione për qasjen e vendeve perëndimore ndaj zgjidhjes së krizës ukrainase, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke kujtuar se Perëndimi “duartrokiti” kur Kosova u shkëput pa referendum dhe se nuk zbaton të njëjtën qasje për Krimenë, transmeton Sputnik.
“Në vitin 2014, Krimea mbajti një referendum të hapur, transparent me praninë e vëzhguesve të shumtë ndërkombëtarë dhe Perëndimi i hodhi poshtë këto rezultate, duke thënë se parimi i integritetit territorial ishte shkelur. Mirëpo, kur më parë Kosova u shkëput pa asnjë referendum, Perëndimi e duartrokiti, dhe në të njëjtën kohë e orkestruan atë shkëputje, duke thënë se në këtë mënyrë shqiptarët e Kosovës e realizuan parimin e vetëvendosjes së popullit. Pra, këtu nuk kemi iluzione se si Perëndimi do të vazhdojë të veprojë”, tha Lavrov.
Lavrov kujtoi se, sipas Kartës së OKB-së, të gjithë janë të detyruar të respektojnë integritetin territorial të shteteve, qeveritë e të cilave respektojnë të drejtën e popullit për vetëvendosje dhe si të tillë përfaqësojnë të gjithë popullsinë në territorin e shtetit përkatës.
“Nuk do të ndalem në faktin se pas ardhjes në pushtet të klikës naziste në shkurt 2014 dhe pasi shpallën se do të heqin statusin e gjuhës ruse kur dërguan bandat e armatosura për të sulmuar parlamentin e Krimesë – se këta njerëz nuk mund të përfaqësojnë popullsinë e Krimesë dhe Ukrainës juglindore. Gjithçka ishte plotësisht e qartë. Pra, e drejta ndërkombëtare këtu përshkruan shumë qartë se si duhet të interpretohet një situatë e caktuar. Perëndimi nuk e dëgjon këtë, Perëndimi ndjek rregullat e veta”, përfundoi Lavrov.