Lavrov në Kubë, dënon sanksionet amerikane ndaj Havanës

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dënoi sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës të enjten gjatë një vizite në Havana, ku u takua me udhëheqësit më të lartë të vendit, përfshirë presidentin e sapozgjedhur Miguel Díaz-Canel.

Zoti Lavrov ishte në fazën e fundit të një turneu në Amerikën Latine, që përfshinte ndalesa në Brazil, Nikaragua dhe Venezuelë.

Ministri i Jashtëm rus u takua me Presidentin Díaz-Canel dhe udhëheqësin gjysmë të pensionuar, por ende me ndikim, Raul Castro, sipas fotografive të publikuara nga gazeta e Partisë Komuniste Granma, megjithëse nuk u ofruan detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e takimeve.

Gjatë vizitës së tij në vendin ishull, i cili për dekada ka qenë një aleat i palëkundur i Moskës, Lavrov dënoi sanksionet ekonomike amerikane ndaj Kubës dhe kritikoi Shtetet e Bashkuara për përpjekjen për të imponuar “vullnetin e saj në botë”, thuhet në një deklaratë të botuar nga media shtetërore “Cubadebate”.

Më herët gjatë ditës, Lavrov u takua me homologun e tij kuban Bruno Rodríguez dhe mori pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave me lule në një memorial në Havana për heroin kuban të pavarësisë José Martí.

Zoti Rodríguez, nga ana e tij, i dënoi ato që ai i quajti “aspirata ekspansioniste” të NATO-s dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

Kuba ka patur një marrëdhënie të fortë me Moskën që nga vitet 1960, kur ajo u bashkua me bllokun e vendeve socialiste të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, duke marrë shumë importe jetike, si plehra kimike, pajisje industriale, pjesë këmbimi dhe vaj në këmbim të sheqerit.

Rusia, së bashku me Venezuelën, është një nga furnizuesit e paktë të Kubës me naftë, duke dërguar një sasi të papërcaktuar në ishull, i cili po vuan nga një krizë e rëndë energjetike.

Gjithashtu, dy javë më parë, bankat kubane filluan të pranojnë pagesa me sistemin rus pagesave MIR, që lejon turistët rusë të bëjnë tërheqje parash dhe të konvertojnë rubla në pesos kubane.

Kartat MIR pranohen në vende të tjera partnere të Rusisë, duke përfshirë Turqinë dhe Vietnamin, dhe operohen nga Sistemi i Pagesave me Karta Kombëtare Ruse në pronësi të shtetit.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Deputeti i LVV-së: Prokuroria dhe Gjyqësori janë bërë oponentë të qeverisë, duan ta dëmtojnë Kurtin

Story i radhës

Mësohen çiftet gjysmëfinaliste në Europa League! Ja kur luhen sfidat

Të fundit nga