Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Moska i di hapat që duhet ndërmarrë për të garantuar sigurinë e saj në përgjigje të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Lavrov tha se kundërmasat do të varen nga lloji i infrastrukturës ushtarake të vendosur në këto vende.
“Ju garantoj se do të sigurohen të gjitha interesat legjitime të sigurisë së Federatës Ruse. Masat e duhura… ne e dimë se cilat janë këto masa dhe si t’i zbatojmë ato në praktikë. Ne po ndërmarrim hapa adekuate dhe mund t’ju siguroj paraprakisht”, tha ai.
Derisa Finlanda u pranua në aleancën ushtarake në muajin prill, Suedia do të jetë anëtarja e 32-të e NATO-s pasi Türkiye ka vendosur ta dërgojë për ratifikim në parlamentin e saj protokollin e pranimit të vendit nordik në NATO.
Lavrov tha se ishte habitur me ritmin e vendimit të Finlandës dhe Suedisë për të braktisur statusin e tyre neutral dhe avantazhet e tij, të cilat sipas tij përfshijnë pavarësinë, reputacionin e mirë, autoritetin dhe marrëdhëniet e dobishme tregtare dhe ekonomike me Rusinë.
Shefi i diplomacisë ruse argumentoi se Finlanda dhe Suedia sakrifikuan interesat e tyre kombëtare për t’u bashkuar me luftën kundër Rusisë në mënyrë që ajo të mos mund të sfidojë idenë e hegjemonisë perëndimore të promovuar nga SHBA-ja “për gjithë përjetësinë”.
Konflikti Palestinë-Izrael
Lidhur me konfliktin Palestinë-Izrael, Lavrov tha se çështja është në një “ngërç të thellë” dhe se kërkon “përpjekje speciale” për të tejkaluar stagnimin aktual.
“Miqtë tanë arab kanë ide të rëndësishme dhe Rusia gjithashtu ka dalë me disa iniciativa”, tha ai.
Disa vende të tjera janë gjithashtu të interesuara për të gjetur një mënyrë për të rifilluar negociatat e drejtpërdrejta midis Palestinës dhe Izraelit dhe për të shkuar drejt zgjidhjes.
Lavrov tha se Moska është gjithashtu e interesuar për normalizimin e Gjirit Persik dhe theksoi se synon të bëjë gjithçka për të ndihmuar vendet arabe dhe Iranin të gjejnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht.
Sipas tij, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Iranit dhe Arabisë Saudite ishte një hap i rëndësishëm në këtë proces.
Më 10 mars në Pekin, Irani dhe Arabia Saudite nënshkruan një marrëveshje për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e ambasadave brenda dy muajve.