Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i pyetur për dërgesat e mundshme të raketave me rreze të gjatë veprimi amerikane në Ukrainë, paralajmëroi sot Shtetet e Bashkuara të mos shkelin “vijat e kuqe” të Rusisë.
Lavrov tha se Uashingtoni po shkel kufirin me Rusinë dhe kjo është e rrezikshme.
“Nuk do të habitem nga asgjë. Amerikanët tashmë e kanë tejkaluar kufirin që i kanë vendosur vetes.
Zelensky, natyrisht, e sheh këtë dhe përfiton prej saj. Ata nuk duhet të shkelin vijat tona të kuqe. Ata e dinë shumë mirë se ku janë”, tha ministri rus.
“Obsesioni me luftën për pushtet, në mënyrë që demokratët të tregojnë se janë më të ashpër se republikanët ose anasjelltas, të paktën tani për tani, po çon në përshkallëzim gjithnjë e më shumë.
Jam i bindur se aty ka njerëz të arsyeshëm që kanë njëfarë ndikimi. Shpresoj se do të merren parasysh interesat e Shteteve të Bashkuara”, shtoi Lavrov.
Burimi: botasot.info