Ekspozita e përvitshme e teknologjisë, CES, hapet të martën, më 7 janar. Shtypi u lejua aty gjatë dy ditëve të mëparshme.
E njohur më parë si Consumer Electronics Show, CES sjell pjesëmarrës dhe ekspozues nga e gjithë bota.
Në vitin 2024, ekspozita pati mbi 138,000 pjesëmarrës. Organizatorët, Shoqata e Konsumatorëve të Elektronikës, presin të shohin një pjesëmarrje edhe më të madhe në ekspozitën e këtij viti.
Mbi 4,500 kompani pjesëmarrëse, përfshirë 1,400 kompani të reja, pritet të vendosen në një sipërfaqe prej 232 mijë metrash katrorë.
“Panairi CES nuk është vetëm i rëndësishëm në kalendarin e konventave, por është edhe një ngjarje e madhe për Las Vegasin. Është vërtet konventa jonë e parë e madhe e vitit kalendarik. Dhe ne e presim me padurim çdo vit, jo vetëm nga pikëpamja e konventës, por edhe nga pikëpamja e vizitorëve nga jashtë vendit. Hapësira që zë është mbi 232 mijë metra katrorë. Për fat të mirë, Vegasi e ka këtë hapësirë. Ky panair zhvillohet në tre qendra të ndryshme në të gjithë qytetin”, thotë Molly Castano, nga Autoriteti i Konventave të Las Vegasit.
Ndër kompanitë e mëdha që marrin pjesë këtë vit janë Nvidia, Sony, Samsung, LG dhe L’Oréal.
Dhe teknologjia për të cilën do të interesohen të gjithë do të jetë inteligjenca artificiale.
Nëse viti 2023 ishte një vit befasish në lidhje me inteligjencën artificiale, 2024 ishte viti për t’u përpjekur për ta përdorur inteligjencën artificiale për funksione të dobishme, pa kosto të larta.
Teknologjia e inteligjencës artificiale është futur në një numër në rritje shërbimesh teknologjike, pavarësisht nëse e dëshirojmë apo jo – për shembull, nëpërmjet përgjigjeve të hartuara nga inteligjenca artificiale në rezultatet e kërkimit në internet, ose teknikave të reja të inteligjencës artificiale për përpunimin e fotografive.
Produktet me inteligjencë artificiale pritet të dominojnë në panairin CES 2025.
Nvidia, në veçanti, pritet të tërheqë vëmendje të lartë me kartën e saj të re grafike për lojërat elektronike, të shumëpriturën GeForce RTX 50.
“Mendoj se ky mund të jetë viti që inteligjenca artificiale fillon të përmbushë potencialin e saj. Mendoj se pati disa vite kur kompanitë nxituan ta vendosin inteligjencën artificiale kudo dhe thjesht provuan shumë gjëra për të parë se çfarë qëndron. Shpresoj se do të jetë më e përhapur, se nuk do të jenë vetëm disa veçori që mezi i gjeni, por do të jenë të vërteta. Gjëra që do të jenë thelbësore për produktet që njerëzit përdorin çdo ditë”, thotë Anyron Copeman, redaktor në faqen e teknologjisë “Tech Advisor”.
Në panairin CES do të jenë të pranishëm edhe kompanitë më të mira të prodhimit të automjeteve, duke zbuluar gjithçka, që nga sistemet informuese dhe argëtuese të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, projektimin holografik në të gjithë xhamin e përparmë të makinës, apo deri tek taksitë fluturuese dhe automjetet elektrike më të fundit.
Shumë nga pajisjet e paraqitura në panairin e Las Vegasit nuk do të dalin dot ndonjëherë në treg, por eksperti Copeman thotë se është një lloj “vështrimi në të ardhmen”.
“Do të thoja se panairi CES vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për të parë se si do të jetë e ardhmja. Mendoj se shohim shumë pajisje konceptuale dhe gjëra që ndoshta nuk do të dalin domosdoshmërisht në treg. Por ajo që shihni janë shumë gjëra që më pas do të përfshihen në produktet në vazhdim, megjithëse ndoshta jo në të njëjtën formë. Do të shihni gjëra për të cilat nuk e kishit menduar më parë, diçka të ndryshme, që mund të ketë sukses”, thotë eksperti Copeman.
Panairi CES hapet të martën, më 7 janar, pas dy ditësh fushatash informimi në media./VOA
Burimi: botasot.info