Një ish-zyrtar i zgjedhur demokrat i zonës së Las Vegasit u dënua të mërkurën me të paktën 28 vjet në burgun shtetëror të Nevadës për vrasjen e një gazetari investigativ, i cili shkroi artikuj kritikë ndaj sjelljes së tij në detyrë dy vjet më parë dhe ekspozoi një marrëdhënie intime me një kolege femër.
Një gjykatëse e rriti dënimin me tetë vite shtesë për përdorimin e një arme vdekjeprurëse nga i pandehuri dhe për shkak të moshës së gazetarit të vrarë. Një juri në gusht e shpalli fajtor të pandehurin Robert Telles për vrasje të shkallës së parë duke i caktuar dënimin minimal me 20 vjet burg.
“Gjykatësja nuk mund ta dënonte atë me më shumë vite”, tha prokurori i qarkut Clark, Steve Wolfson, ndërsa u shpreh për mediat se dënimi përfaqësonte drejtësi për komunitetin. “Ajo e dënoi atë në maksimum”.
47-vjeçari Telles mohoi në gjyq të kishte vrarë me thikë reporterin Jeff German të gazetës “Las Vegas Review-Journal” në shtator të vitit 2022. Por provat kundër tij ishin të forta, përfshirë ADN-në e të pandehurit nën thonjtë e gazetarit.
I pandehuri Telles, ish-administrator i një zyre qarku për çështjet e pronave, u arrestua dhe u burgos pa të drejtë lirie me kusht disa ditë pas vrasjes së gazetarit German. Ai u shkarkua nga posti i zgjedhur javë më vonë.
I lidhur në pranga para gjykatëses të mërkurën, i pandehuri Telles shprehu “ngushëllimet më të thella” për familjen e gazetarit German, por përsëri mohoi përgjegjësinë për vdekjen e tij.
Prokurorja Pamela Weckerly i tha gjykatësit se provat treguan se i pandehuri Telles e vrau gazetarin sepse “nuk i pëlqente ajo që kishte shkruar për të.
“Kjo lloj dhune, dhunë politike”, tha prokurorja, “është e papranueshme dhe e rrezikshme për një komunitet në tërësi”.
Avokati mbrojtës, Robert Draskovich, kërkoi lehtësi në dënimin e klientit të tij dhe i tha gjykatësit se zoti Telles synon të apelojë dënimin. Pas shpalljes së dënimit, zoti Draskovich dha dorëheqjen si avokat mbrojtës i të pandehurit Telles.
Zoti German ishte 69 vjeç. Ai ishte një gazetar i respektuar me 44 vjet përvojë në mbulimin e krimeve, gjykatave dhe korrupsionit në Las Vegas.
Jeff German ishte gazetari i vetëm i vrarë në SHBA në vitin 2022, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork. Sipas organizatës jofitimprurëse që nga viti 1992 në Shtetet e Bashkuara janë varë 17 punonjës të medias.
Zoti German u gjet i vrarë me thikë jashtë shtëpisë së tij në Las Vegas më 3 shtator 2022. Gjatë gjyqit, prokurorët sqaruan se si Telles ishte i zemëruar nga artikujt e gazetarit German lidhur me të, sipas së cilëve Administratori i Qarkut sillej keq me personelin e tij dhe kishte një marrëdhënie të papërshtatshme me një vartëse.
Burimi: botasot.info