​Largimi i konstruksione në Pallat të Rinisë, një nga afaristët paralajmëron padi

min lexim

Inspeksioni i Komunës së Prishtinës mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një aksion në Pallatin e Rinisë për largimin e disa konstruksioneve të vendosura pa leje. Kjo ka nxitur reagimin afaristit Naim Tërnava, i cili ka paralajmëruar edhe padi.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se sot po lirojnë hapësirat e uzurpuara në Pallat me qëllim që ky objekt të kthehet në gjendjen origjinale.

Rama tha se janë në proces të planit të rigjenerimit për gjithë Pallatin e Rinisë.

Rama: Po intervenojmë për të çliruar hapësirat e uzurpuara

“Kemi një intervenim këtu, çlirimin e hapësirave të cilat kanë qenë të uzurpuara në Pallat të Rinisë dhe kthimin e Pallatit të Rinisë në gjendje origjinale. Siç e dini, Pallati i Rinisë është ikonë arkitektonike e Prishtinës është e mbrojtur me ligj dhe kemi filluar që ta pastrojmë prej këtyre elementeve shtesë në periudha kohore tash e pas luftës. Kemi filluar sot me këtë dhe do ta vazhdojmë pastrimin e gjitha këtyre intervenimeve që nuk janë të mira që janë të jashtëligjshme dhe i bëjnë dëm brendit të Pallatit të Rinisë… Këto janë iniciativat fillestare për kthimin e kësaj ikone në gjendjen e mëparshme”, theksoi ai.

Këtë vendim e ka kundërshtuar ish qiramarrësi dhe pronari i lokalit “Bly Sky”, Naim Tërnava i cili tha se veprimet e sotme janë të jashtëligjshme dhe se nuk kanë pranuar asnjë vendim për aksionin e sotëm.

Derisa paralajmëroi padi për Ramën dhe të tjerët, Tërnava hodhi akuza karshi drejtorit të Pallatit të Rinisë, Ilir Dugollit, për të cilin tha se e ka kriminalizuar këtë objekt.

Tërnava: Drejtori i Pallatit e ka kriminalizuar Pallatin e Rinisë

“Siguromani vendimin, na takon një vendim që e keni marrë që keni ardhur për të ndërhyrë. Këtu ka tulla me bllok për ndërhyrje pse nuk i keni ndërmarrë, këtu ka pllaka, këtu ke beton e kulme. Asnjë vendim nuk na është ofruar prej anës së komunës apo Pallatit të Rinisë pa vendim keni ardhur, është e jashtëligjshme dhe për këtë nuk paskeni qenë të informuar. As nuk është uzurpim, është me kërkesë, është me një vendim të drejtorit, është paguar mbi 1 milionë euro qira dhe investime këtu dhe pagesa e shtetit tatim, mbi 15 punëtorë kanë qenë… Ju thatë se është uzurpuar, iu ftoj të kërkoni falje se nuk jemi uzurpatorë dhe nuk kemi qenë asnjëherë, kemi qenë tatimpagues… Të kanë keqinformuar më së pari drejtoi i Pallatit, i cili e ka kriminalizu Pallatin e Rinisë, e ka keqpërdorë Pallatin e Rinisë i cili miliona i ka shkaktuar dëm Pallatit të Rinisë, 2 milionë i ka shkaktim vetëm prej djegies dhe na këtu kemi pas shumë sfida prej keqmenaxhimit të keq që e ka bërë drejtori i pallatit… shihemi në Gjykatë“, u shpreh Tërnava.

E karshi këtyre akuzave, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se për këtë aksion kanë përcjell të gjitha procedurat ligjore, kurse paralajmërimi për padi u shpreh se është i mirëseardhur.

Rama: Ne i kemi përcjell të gjitha procedurat ligjore

“Ne i kemi përcjell të gjitha procedurat ligjore kjo faktikisht është hapësirë që nuk është dashur kurrë me u ndërtua në të. Pra çdo gjë është në aspektin ligjor dhe procedura ligjore, kështu që për atë arsye nuk ka ndodh dhe po ndodh tani… Është e mirëseardhur është vend demokratik ka të drejta me bë atë punë dhe mundet por ne iu kemi qasur kësaj pune në mënyrë ligjore”, u shpreh ai.

Kurse, drejtori i Inspeksionit të Prishtinës, Florian Dushi thase kërkesa është që këto hapësira të kthehen në pamjen origjinale.

Ai ka paralajmëruar edhe intervenime të tjera kudo rreth konstruksioneve të jashtëligjshme të Pallatit të Rinisë.

Dushi – Tërnavës: Intervenimi ka ndodh me kërkesë të Pallatit

Tërnava: Kush je ti me ta tregu vendimin, unë vendimin ia dëshmoj drejtorit. Më tregoni nëse je qiramarrës apo çfarëdo shfrytëzues. Intervenimi ka ndodhur sipas kërkesës së Pallatit dhe ne kemi intervenuar…

Tërnava: Pse po ndodh vetëm ne neve Florian, pse nuk po ndodh me tulla…

Dushi: Gjithkund ka me ndërhyrë.

Kryeshefi ekzekutiv i Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli shprehu keqardhjen për mllefosjen që ka ndodhur siç u shpreh ai, duke potencuar se intervenimet e tilla ndër vite e kanë deformuar këtë strukturë.

Ai tha se do të bëjnë të pamundurën për ta rikthyer Pallatin e Rinisë në pozicionin siç ka qenë.

Dugolli: Ka që 6 muaj që nuk është më afarist i Pallatit të Rinisë

“Ka që 6 muaj që nuk është më afarist i Pallatit të Rinisë kemi pritur vendimet e Gjykatës që të përfundojnë dhe në bazë të tyre të procedojmë… Pallati i Rinisë pikërisht duke u bazuar në disa veprime të gabuara që në të kaluarën kanë ndodhur është deformuar në tërësi edhe kuptimi i Pallatit të Rinisë, prandaj së bashku me Inspeksionin dhe institucionet përkatëse do ta bëjmë të pamundurën që ta rikthejmë në pozicionin siç ka qenë. Pallati i Rinisë në këtë formë siç ka qenë deri më tani është i shëmtuar”, u shpreh Dugolli.

Aksioni i Inspeksionit të Komunës së Prishtinës u mbështet nga Policia e Kosovës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ballkani i hapur është Jugosllavia e tretë pa Kroacinë e Slloveninë

Story i radhës

Di Maria gati për vizitat mjekësore

Të fundit nga