Apple e filloi javën siç kishte premtuar me lançimin e disa produkteve të reja harduerike ku i pari ishte iMac 24-inç, i ndjekur nga Mac Mini.
Ndërsa sot kompania vendosi të sjellë modelet e reja 14-inç dhe 16-inç të MacBook Pro me çipin e ri M4. Krahas versionit standard M4 dhe atij të avancuar M4 Pro, përdoruesit mund ti konfigurojnë laptopët edhe me çipin e lançuar së fundi M4 Max.
Kompania nuk përmendi ndryshime në pamje e jashtme me përjashtim të ngjyrës së zezë për modelin 14-inç MacBook Pro. Por mjafton ndryshimet në brendësi që të joshin përdoruesit sidomos ata që kanë një MacBook Pro M1 ose një model akoma më të vjetër me procesor Intel.
Njëlloj si iMac M4 dhe Mac Mini, Apple ka vendosur që ta bëjë 16GB RAM standardin e ri të memories dhe fillon prej 1,599 dollarë. Për këtë rritje të memories duhet të falënderojmë padyshim Apple Intelligence.
Apple nuk dha detaje të shumta për M4 Max por e dimë që karakterizohet nga një procesor me 16 bërthama ku 12 janë performance dhe 4 janë efikasiteti dhe grafika prej 40 bërthamash.
Për krahasim, M4 Pro ka një procesor me 14 bërthama dhe grafika me 20 bërthama ndërsa versioni standard M4 ka procesor me 8 bërthama dhe grafika me 10 bërthama. M4 Max gjithashtu ofron mbështetje për deri në 128GB RAM dhe ka 30 përqind më shumë bandwidth memorie sesa M3 Max.
Sa i përket ndryshimeve të tjera, modelet MacBook Pro me M4 Pro dhe M4 Max kanë tre porta Thunderbolt 5 USB-C njësoj si Mac Mini me M4 Pro.
Laptopët e rinj kanë ekrane me ndriçim paksa më të fortë që mund të arrijë deri në 1,000 nits krahasuar me 600 nits më përpara. Varianti 14-inç MacBook Pro M3 fillon prej 1,599 dollarë ndërsa ai me procesor M4 Pro prej 1,999 dollarë. Ndërkaq modeli 16-inç MacBook Pro me M4 Pro fillon prej 2,499 dollarë. Laptopët mund të porositen prej sot dhe dalin në shitje më 8 Nëntor. /PCWorld Albanian
Burimi: pcworld.al