Ndarja mes Lionel Messit dhe Barcelonës ishte një nga të papriturat në botën e futbollit me argjentinasin që pritej t’i dedikonte të gjithë karrierën katalanasve. Megjithatë, problemet financiare penalizuan blaugranat dhe tashmë “pleshti” ka “emigruar” në Paris ku aktivizohet me PSG.
Megjithatë, presidenti i klubit spanjoll, Joan Laporta e ka shprehur hapur dëshirën për ta rikthyer Messin në skuadër. Një hipotezë e cila dita ditës fiton edhe më shumë kuota te Barcelona, ndërsa në klub mendojnë edhe për rolin që mund t’i ofrojnë Messit duke marrë parasysh moshën 35-vjeçare të sulmuesit.
Kështu, nëse rikthimi fillimisht në rolin e futbollistit kryhet me sukses në verën e ardhshme atëherë Messi do të trashëgojë rolin ambasadorit të klubit në botë. Një post nga i cili do të përfitonte shumë edhe Barcelona në aspektin e marketingut, pasi askush më mirë se Messi mund të përfaqësonte vlerat e spanjollëve.
Sa i takon aspektit sportiv, trajneri Xavi Hernandez do të ishte mëse i lumtur të ribashkohej me ish-shokun e skuadrës teksa Messi mund të ishte një ndihmë më tepër në dhomat e zhveshjes, por edhe në fushë për të rritur të rinjtë premtues si Gavi, Pedri, Balde, Ansu Fati apo edhe Dembele.
Sa i takon PSG, në rast se futbollisti dhe Laporta gjejnë gjuhën e përbashkët për rikthimin e argjentinasit në Camp Nou, atëherë francezët do të ishin të pafuqishëm për ta penaguar pasi kontrata e Messit me kryeqytetasit në qershor të vitit 2023 dhe rinovimi i saj është vetëm opsional.