​Lansohet projekti NaturKosovo, iniciativë prej 1.8 milionë eurosh dhënë nga qeveria italiane

min lexim

Sot u lansua projekti “NaturKosovo: kryeqendra natyrore dhe kulturore në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm turistik i Via Dinarica” në vlerë prej 1.8 milionë euro, dhënë nga qeveria italiane në Bogë.

Në këtë aktivitet morën pjesë ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu dhe Përfaqësuesja e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor në Ballkanin Perëndimor (AICS), Stefania Vizzaccaro. Nga Qeveria e Kosovës ishin të pranishëm ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Cafderbasha si dhe kryetarët e komunave të përfshira në projekt.

Objektiv i projektit është të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, përmes mbrojtjes dhe zgjerimit të shtrirjes kosovare të Via Dinaricës, në zonën e komunave të Pejës, Deçanit dhe Junikut. 

Projekti do të trajtojë aspekte të ndryshme: modelin e menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe kapitalit natyror, kujdesin e shtigjeve ekzistuese dhe hartimin e shtigjeve të reja, sigurinë dhe sistemin e shpëtimit alpin, shërbime cilësore turistike për vizitorë ndërkombëtarë, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla vendore dhe promovimi mediatik të brendit ViaDinarica.

Kjo iniciativë zbatohet nga organizata joqeveritare Italiane Volontari Nel Mondo RTM (RTM) dhe Centro Laici Italiani per le Missioni (CELIM), me kontributin teknik të Klubit Alpin Italian, Trupave Kombëtar alpin të shpëtimit dhe speleologjisë, shoqatës Italiane për turizëm të përgjegjshëm, dhe fondacionit Utalaya.

“Promovimi i aktiviteteve turistike pa dëmtuar mjedisin natyror, social, artistik dhe mbi të gjitha pa penguar zhvillimin e aktiviteteve të tjera sociale dhe ekonomike është qëllimi kryesor i këtij projekti”, tha në fjalën e tij ambasadori De Riu.

“Me NaturKosovo nënkuptojmë, në fakt, të rrisim paraqitjen e këtij territori dhe të zgjerojmë brendin “Via Dinarica në Kosovë”, të kopjojmë përvojat e vendeve të tjera të Alpeve Dinarike, ku flukset turistike vendore dhe ndërkombëtare tashmë janë të bashkuara. Për ta bërë këtë, ne do të përdorim kompetencat të plota të partnerëve italianë CAI, AITS dhe CNSAS, dhe praninë në territorin e Fondacionit Utalaya, duke u fokusuar në alpinizmin, shpëtimin alpin, gastronominë dhe atraksionet kulturore në kontekste malore. , shtoi Shefi i Misionit.

“Në fazën e zbatimit të projektit, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të sipërmarrjes së grave dhe të rinjve me synimin për të mbështetur rritjen ekonomike dhe krijimin e profesionistëve të kualifikuar me një perspektivë afatgjatë, që është thelbësore jo vetëm për t’u përafruar me strategjitë zhvillimore kombëtare të Qeverisë së Kosovës, por edhe për të forcuar modelin evropian të vendit”, përfundoi De Riu.

Nga ana e saj, Përfaqësuesja e AICS në Ballkanin Perëndimor Stefania Vizzaccaro tha:

“Ky projekt buron nga synimi i bashkëpunimit Italian për të mbështetur komunitetet lokale në promovimin dhe vlerësimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në kuadër të ekoturizmit, me synimin (me ndërlikime nga pandemia COVID19) për të kombinuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik territorial për mbrojtjen e zonave natyrore dhe biodiversitetit, në kuadrin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, në veçanti objektivit 8.9, i cili fokusohet në zbatimin e politikave për promovimin e një turizmi të qëndrueshëm që mund të krijojë punësim, të promovojë kulturën dhe produktet vendase, dhe numri 15, që mbron jetën në tokë, me vëmendje të veçantë në mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e një përdorimi të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore.”

“Kjo qasje ambicioze pasqyron, në një kontekst më të gjerë, strategjinë rajonale sektoriale “Mjedisi dhe Natyra” të Zyrës së Agjencisë Italiane të bashkëpunimit për zhvillim në Tiranë, me përvojën e nismave të zbatuara së fundmi ose aktualisht si në Shqipëri Natura 2000 dhe NaturAlbania, dhe në Bosnje e Hercegovinë me iniciativat Via Dinarica dhe NaturBosnia.

Ministrja Hajdari deklaroi: “Turizmi është një nga sektorët më me ndikim në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës në botë. Duke qenë se turizmi është një potencial shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, Qeveria jonë e trajton zhvillimin e sektorit të turizmit si një nga prioritetet tona të Programit të Qeverisë për Punë dhe Drejtësi dhe Planit Strategjik të MIET. Projekti ‘NaturKosovo: Trashëgimia natyrore dhe kulturore në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm turistik i Via Dinarica’ kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe në të njëjtën kohë është në përputhje me objektivat tona strategjike. Krijimi i shtigjeve ndërkufitare me vendet e rajonit tregon se Kosova po shton fluksin e turistëve, që do të kontribuojë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës”, tha ajo.

Andrea Guerrini, kryetar i RTM-së, tha: “Për RTM-në e pranishme në Kosovë që nga emergjenca humanitare e vitit 1999, kjo iniciativë paraqet një mundësi shtesë për të përshtatur veprimet tona me prioritetet, nevojat dhe resurset e komuniteteve dhe institucioneve lokale”.

Partner në Kosovë është Fondacioni Utalaya, i alpinistes Uta Ibrahimi, gruaja e parë Kosovare që u ngjit në malin Everest dhe promovuese e palodhur e çështjeve mjedisore dhe e respektimit të të drejtave të njeriut.

Uta, e cila u emërua nga Kombet e Bashkuara si kampione e SDGs (Sustainable Development Goals) për angazhimin e saj në favor të mbrojtjes së mjedisit dhe fuqizimit të grave dhe gjeneratave të reja, deklaroi: “Bukuritë përrallore të maleve tona janë arsyeja që njerëz nga vende të ndryshme vijnë në këtë pjesë të botës dhe arsyeja që na ka sjellë këtu sot, të bashkohemi, të bëjmë më shumë për Via Dinarica.”

Me këtë event të lansimit, nisin zyrtarisht aktivitetet e projektit, së bashku me një kapitull të ri në historinë e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ukraina bën thirrje për pozicion të barabartë në luftime

Story i radhës

Eksperti amerikan: Putini përfiton nga mungesa e stabilitetit në Ballkan

Të fundit nga