Lamine Yamal befason

min lexim

Lamine Yamal është djaloshi në modë, është ai lojtari i momentit, pavarësisht se po flasim vetëm për një fëmijë 17-vjeçar. Jamal ishte zbulimi i “Euro 2024” me Spanjën ku arriti të shpallej dhe kampion Europe.

Lëvizjet e tij në fushë kanë bërë që dhe ylli i ri i Barçës të jetë mes 30 kandidatëve të mundshëm për fitimin e “Topit të Artë”.

Sigurisht që shanset për ta fituar nuk janë të mëdha, por nëse nuk do të arrijë të fitojë “Topin e Artë”, ai shihet si favoriti absolut për “Trofeun Kopa”, që jepet për lojtarin e ri më të mirë.

Me këtë rast, sulmuesi i Barcelonës ka dhënë një intervistë për “L’Equipe”, që ka publikuar fragmente nga kjo intervistë, ku ai ka folur për shumë gjëra dhe mbi të gjitha ndryshimin radikal në jetën e tij pas asaj çfarë i ka ndodhur në harkun e një viti, që nga debutimi me Barcelonë që 16 vjeç e deri te titulli me Spanjën në mes të korrikut, vetëm dy ditë para se të festonte 17-vjetorin. Lamin kaloi nga shikimi i idhujve të tij në televizion në lojën me ta brenda pak muajsh.

Ai e ka përmendur gjithmonë se sa i ndrojtur, sa i turpshëm ka qenë ditët e para nën urdhrat e Ksavit dhe e ka kujtuar sërish: “Herën e parë lashë këpucët në dhomat e zhveshjes dhe shkova në palestër për të bërë biçikletë, sepse më vinte turp të isha atje. Pashë Zhordi Albën, Pike, Pjaniç… Më pas me kalimin e kohës u përshtata dhe kur bëra debutimin tim nuk isha nervoz”.

Një kalama që luan me burra, kështu mund të shihet ndryshe Jamal. Por ai ka theksuar se nuk ka asnjë problem të përballet me më të mëdhenj se ai, pasi këtë e kultivuar para se të debutonte me ekipin e parë të Barcelonës. “Të luajturit në rrugët e lagjes ma hoqi frikën për tu përballur me më të rriturit. Kujtoj se isha 11-12 vjeç, ndërkohë që luaja kundër personave që ishin 20 vjeç ose më shumë. Kjo më bëri të vras frikën, të shfrytëzoj mundësinë për të luajtur ndaj kujtdo”, ka përmendur ylli i Spanjës.

Madje ai nënvizon se mërzitet kur është shumë më mirë se të tjerët. “Unë jam një djalë që nuk më pëlqen të jem në një nivel shumë më të lartë se të tjerët, siç më ka ndodhur tek kadetët, sepse nuk më pëlqen të pushoj apo të fluturoj. Më pëlqen gjithmonë kur është më e vështirë. Preferoj më mirë të mos luaj, se sa të luaj gjithçka dhe ta bëj shumë të lehtë”.

HISTORIA ME QENTË – Një pikë interesante në intervistën e Lamin Jamal me gazetën franceze është historia e qenve. Ai kujtoi se kur ishte ende i vogël, bashkëmoshatarët e tij nuk ishin shumë sfidues për të. Ndaj ai kishte gjetur një rival shumë më të ashpër, shumë më sfidues, e kishte … në shtëpi. “Gjithnjë kam luajtur me qentë e mi, sepse im atë më thoshte se ata nuk do të më kafshojnë, ndaj mund të vrapoja sa më shumë. Të luash kundër qenve është gjëra më e vështirë që mund të bësh”, tha Jamal.

KRAHASIMI ME MESIN – Shpërthimi i Lamin Jamal është një rast që nuk përsëritet shpesh në futboll. Sigurisht, si një lojtar i dalë nga “La Masia” (Akademia e Barcelonës), duke qenë mëngjarash dhe i fiksuar në përballjen një kundër një me rivalin, është e pashmangshme të mos mendosh te lojtari më i mirë në historinë e Barcelonës, Lionel Mesi.

Natyrisht të vësh kaq shumë barrë mbi supet e një 17-vjeçari nuk është gjëja më e zgjuar. Në fakt është tepër e ndërlikuar. Por Jamal di ta driblojë edhe këtë. “Gjëja më e rëndësishme është të mos i kushtosh vëmendje krahasimeve të tilla. Të krahasohesh me më të mirin në histori do të thotë që je duke bërë disa gjëra mirë. Ndaj nuk më shqetëson kjo situatë e re, por përpiqem të jem vetvetja”.

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Ndalohet për 48 orë personi zyrtar në Ferizaj, dyshohet se falsifikoi dokumente

Story i radhës

Në bikini dyngjyrësh, Franceska shfaq trupin e saj seksi

Të fundit nga