Një futbollist, që aktivizohet në Premierligë,është arrestuar në veri të Londrës me dyshimin për përdhunim.
Emri i futbollistit nuk është zbuluar për arsye ligjore, por thuhet se ai është edhe reprezentues i njërës prej Kombëtareve që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Nga mediat angleze ai është quajtur si “yll i futbollit”, teksa mësohet se është 29-vjeçar.
Sipas “Telegraph”, ai është marrë në paraburgim, derisa rasti për të cilin dyshohet thuhet se ka ndodhur në muajin e kaluar.
Policia me anë të një deklarate ka konfirmuar se futbollisti është arrestuar herët në mëngjesin e së hënës.
“Më 4 korrik, një rast për përdhunim të një gruaje rreth të 20-ave u raportua në polici. U raportua se përdhunimi i supozuar ka ndodhur në qershor 2022. Mashkulli u arrestua në Barnet me dyshimin për përdhunim dhe u dërgua në paraburgim. Hetimet po vazhdojnë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Edhe pse nuk dihet identiteti i lojtarit në fjalë, pretendohet se ai është i njohur ndërkombëtarisht. Klubi i lojtarit thuhet se është në dijeni të situatës.