I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se data 18 mars kur do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë për dialogun Kosovë – Serbi në Ohër në Maqedoninë e Veriut, nuk është zgjedhur aksidentalisht.
Lajçak tha se pak ditë pas kësaj date, do të ketë një agjendë tejet të rëndësishme brenda Bashkimit Evropian.
“Data 18 (mars) nuk është zgjedhur aksidentalisht. Më datën 20 ministrat e jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së do të takohen në Bruksel për këshillin e punëve të jashtme dhe më pas më 23 dhe 24 liderët evropianë, presidentët dhe kryeministrat, do të takohen në Këshillin Evropian. Përfaqësuesi i lartë Borrell, do t’i informojë ata për progresin apo mungesën e progresit. Ata duan të dëgjojnë nga ai, a kemi apo nuk kemi marrëveshje. Nëse nuk kemi marrëveshje, pse? Sepse nevojitet më shumë punë, apo se njëra palë apo të dyja palët po e pengojnë marrëveshjen”, tha Lajçak në intervistë për ATV.
Ai tha se vëmendja dhe mbështetja lidhur me këtë proces është jashtëzakonisht e lartë dhe uniteti brenda BE-së është i paprecedent.
“Varet nga të dyja palët dhe nga ne si ndërmjetësues, se çfarë mesazhi do t’u raportojë z. Borrell liderëve evropianë, ministrave më datën 20 dhe liderëve më 23 dhe 24”, u shpreh Lajçak.
Emisari Miroslav Lajçak, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si një prej kërkesave dukshëm të përsëritura nga ndërkombëtarët, do të themelohet konform modeleve ekzistuese evropiane. Mirëpo, sipas tij, Asociacioni momentalisht nuk është në agjendë të dialogut.
“Për momentin kjo nuk është në agjendë të dialogut gjersa të gjithë flasin për të”, deklaroi Lajçak
Lajçak tha se bordi menaxhues duhet fillimisht ta prezantojë propozimin për Asociacionin, e pastaj të diskutohet mbi kritikat që të dy palët kanë.
“Thuhet qartë në marrëveshjen e vitit 2013. Është bordi menaxhues ai që duhet ta prezantojë propozimin dhe më pas të dyja palët kanë mundësi të japin kundërpropozimet dhe komentet e tyre dhe ky është procesi në të cilin Kosova dhe Serbia janë partnerë të barabartë. Dhe Bashkimi Evropian do të sigurohet se ajo për çka kemi arritur marrëveshje do të përkojë me standardet evropiane dhe vlerat evropiane”, shtoi tutje.
Lajçak ka thënë se ia ka dhënë kryeministrit Kurti, 15 modele evropiane të strukturave të tilla, të cilat tha se mund të shrytëzohen si inspirim i asaj se si do funksiononte Asociacioni në Kosovë.
I njëjti theksoi se Kosova s’ka arsye për t’u frikësuar nga Asociacioni.
“Nuk ka arsye aspak për t’u frikësuar, sepse siç e thashë unë ia kam dhënë kryeministrit Kurti 15 modele evropiane te të cilat mund të gjejë inspirimin. Dhe asnjë prej këtyre modeleve nuk ka çuar në këtë mosfunksionim te shtetet që kanë implementuar këto modele”.
“Asnjëra prej këtyre modeleve nuk kanë asgjë si Republika Sprska, çfarë është e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia ta nënshkruan, u pajtuan për dy dokumentet në 2013-ën dhe në 2015-ën”, përfundoi emisari, Miroslav Lajçak.
Debate të shumta në vend ka pasur sa i përket Kishës Ortodokse serbe dhe mënyrës se si është përcaktuar çështja e saj në nenin 7 të planit franko-gjerman.
Për këtë përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Kosova është në Evropë dhe se duhet të merren modelet ekzistuese evropiane dhe se këtu nuk ka asgjë për t’u frikësuar
“Kosova është në Evropë. Kosova e sheh të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës. Kështu që mendoj se është vetëm logjike se duke adresuar çështje specifike Kosova merr inspirim nga modelet ekzistuese evropiane ose modelet që ekzistojnë në Këshillin e Evropës. Nuk ka asgjë për t’u frikësuar, nëse ka funksionuar në vende të tjera duhet të funksionojë edhe këtu, dhe keni partnerë të cilët janë të gatshëm t’u ndihmojnë dhe t’u udhëzojnë. Kjo vlen në çdo aspekt, qoftë nëse flasim për asociacionin e komunave me shumicë serbe ose Kishën Ortodokse serbe apo çështje të tjera. Të merret inspirim nga modelet evropiane që kanë funksionuar. Dhe do të theksoja edhe një tjetër pikë: gjithëpërfshirjen. Kjo do të thotë, le të sigurohemi se ata që janë të ndikuar të përfshihen në hartimin e këtyre rregullave apo këtij legjislacioni”, ka thënë ai.