I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha se janë gati tre ose katër marrëveshje mes dy palëve dhe se pret që ato të finalizohen së shpejti.
Në Forumin e 15-të në Dubrovnik, ai vlerësoi të dyja palët për takimet mujore në nivel të negociatorëve kryesorë dhe shtoi se ka edhe marrëveshje që takimet të zhvillohen në nivelin më të lartë.
Lajçak vlerësoi gjithashtu se procesi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është procesi më strategjik në rajon. Sipas tij, dy çështje urgjente janë fillimi i negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe regjimi pa viza për Kosovën.
Sipas tij, ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të rikthejë besueshmërinë e zgjerimit dhe partnerët të bëjnë seriozisht punën e tyre në reforma. Lajçak tha se BE duhet të përfundojë punën e papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Në një tekst në Twitter, nga Forumi i Dubrovnikut, Lajçak tha se lufta në Ukrainë ndryshoi gjithçka dhe e ktheu zgjerimin e BE-së në një çështje politike.
“Ne ishim të vetëkënaqur për një kohë të gjatë. Kjo nuk mund të vazhdojë më. Ne duhet të përfundojmë punën tonë të papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai.
Në Forum po merr pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gervala./albeu.com