Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendës/kryeministrin Besnik Bislimi kanë zhvilluar drekë pune në Prishtinë me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një prononcim për media pas takimit, emisari Lajçak tha se vizita e tij është në kuadër të diskutimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak tha se diskutimi ka qenë i përqendruar te plani evropian, i njohur edhe si propozimi franko-gjerman.
“Vizita ime sot në Prishtinë është vazhdimësi e përpjekjes aktive diplomatike për të arritur progres në normalizimin e Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin evropian”, theksoi Lajçak.
Duke folur për gjashtë kushtet, mbi të cilat sipas kryeministrit Kurti duhet të konsiderohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçak tha se vlenë rregulli që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen.
Më tej, ai tha se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për përgatitjet për një takim konstruktiv midis kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri Kurti në rrjetet sociale drekën e punës me Lajçak e ka cilësuar si “shkëmbim të mirë”.
Kurti përsëriti qëndrimin që Kosova e pranon planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, shkroi Kurti.
Lajçak, i cili viziton Kosovën për herë të dhjetë që nga shtatori i vitit 2022 kur është prezantuar për herë të parë propozimi evropian, sonte do të vazhdojë me një vizitë zyrtare edhe në Beograd.