Nga Ömer Özkızılcık –
Autori është specialist i politikës së jashtme dhe sigurisë
Gjigandi francez i çimentos u dënua me 778 milionë dollarë gjoba dhe konfiskim më 18 tetor, pasi u deklarua fajtor për akuzat e SHBA-së për ofrimin e mbështetjes materiale për dy grupe të caktuara terroriste, duke përfshirë grupet DEASH dhe Al-Kaeda. Pas përpjekjeve disavjeçare franceze për të “fshehur llumin nën qilim”, ky dënim mund të lehtësojë ndjekjet gjyqësore për krimet e kryera kundër njerëzimit nga zyrtarët e Lafarge dhe zyrtarët francezë. Megjithatë, fabrika e çimentos Lafarge në Siri ka gjithashtu një histori të anashkaluar shpesh, ajo se si i shërbeu ushtrisë amerikane.
Prokurori amerikan Breon Peace në Distriktin Lindor të New York-ut, tha: “Asnjëherë më parë një korporatë nuk është akuzuar për ofrimin e mbështetjes materiale dhe burimeve për organizatat e huaja terroriste. Kjo akuzë dhe rezolutë e paprecedentë pasqyron krimet e jashtëzakonshme të kryera dhe tregon se korporatat që ndërmarrin veprime në kundërshtim me interesat tona të sigurisë kombëtare, në kundërshtim me ligjin, do të mbajnë përgjegjësi.” [1]
– Rëndësia strategjike e kompanisë Lafarge
Ndjekja penale e kompanisë Lafarge duhet të konsiderohet si një rast tejet i rëndësishëm për ndërprerjen e mbështetjes materiale dhe burimeve për organizatat terroriste, por gjendja aktuale e shtrirjes së rastit vazhdon të injorojë përgjegjësinë e shtetit dhe mënyrën se si shtetet e tjera përfituan nga mizoritë franceze. Për ta kuptuar këtë, duhet parë se ku ndodhet fabrika e çimentos.
Fabrika e çimentos Lafarge ndodhet në kryqëzimin midis qyteteve Aleppo dhe Raqqa dhe shtrihet në autostradën strategjike M4. Vendndodhja është e një rëndësie të madhe strategjike. Kur DEASH sulmoi qytetin Ayn al-Arab (Kobane) në vitin 2014, e bëri këtë duke vazhduar nga Raqqa përmes fabrikës së çimentos. Gjithashtu, autostrada M4 e lartpërmendur lidh Sirinë verilindore me bregdetin sirian, si dhe me autostradën M5 e cila shkon nga veriu në jug. Të gjitha transaksionet ekonomike dhe logjistike në Siri kalojnë nëpër këto dy autostrada.
– Lafarge mbështeti organizatat terroriste
Pasi fabrika e çimentos u rimor nga YPG, dega siriane e organizatës terroriste PKK, vlera logjistike e fabrikës u përdor tani nga një grup tjetër terrorist. Objektet e mëdha të magazinimit, si dhe kompleksi industrial, ishin vendimtare për avancimin e YPG-së drejt qyteteve Raqqa dhe Tabqah. Falë përpjekjeve franceze, fabrika nuk u shkatërrua nga sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar, teksa kontrollohej nga DEASH.
Ashtu si gjykatat në SHBA dhe Francë injorojnë ndihmën financiare të ofruar nga Lafarge për PKK-në, edhe roli i fabrikës pas vitit 2014 është injoruar. Pasi YPG mori kontrollin mbi fabrikën, lokacioni u përzgjodh nga SHBA-ja për të vendosur personelin e saj ushtarak. Baza ushtarake amerikane ishte e vendosur në Lafarge dhe u përdor si qendër helikopterësh. Helikopterët amerikanë fluturuan nga Iraku dhe dyshohet se janë përdorur në luftën kundër DEASH-it. Njësitë e mëdha të magazinimit të fabrikës së çimentos Lafarge ishin të dobishme për ruajtjen e furnizimeve me armë për YPG-në dhe ushtarët amerikanë.
– Lafarge i shërbeu pranisë së YPG-së të mbështetur nga SHBA-ja në Siri
Në retrospektivë, mosshkatërrimi i fabrikës nuk ishte vetëm sigurim i investimeve franceze, por edhe krijim i një baze ushtarake të fortë dhe të rëndësishme për SHBA-në në Siri. Pa përpjekjet franceze për të mirëmbajtur fabrikën duke paguar organizatat terroriste PKK, DEASH dhe Al-Kaeda midis viteve 2012 dhe 2014, SHBA-ja nuk do të ishte në gjendje të gjente një vend kaq të rëndësishëm. Fabrika me shumë gjasë do të shkatërrohej dhe do të shitej në tregun e zi të Sirisë, siç ndodhi me fabrikat e tjera në vend. Edhe pse gjykatat amerikane e dënuan kompaninë Lafarge, nuk mund të mohohet se krimet e kryera nga francezët i shërbyen më vonë pranisë amerikane në Siri.
SHBA-ja vendosi një linjë të mirëplanifikuar të furnizimit logjistik nga kufiri i Irakut në rajonin Munbixh në perëndim të lumit Eufrat. Pavarësisht udhërrëfyesit turko-amerikan për Munbixhin, kjo linjë furnizimi vazhdoi të dërgonte armë dhe municione për YPG-në në Munbixh. Me praninë e SHBA-së në fabrikën e çimentos, Lafarge ishte një nga qendrat e shpërndarjes së kësaj linje logjistike. SHBA-ja ruajti praninë e saj ushtarake në vendin i cili më parë furnizonte DEASH-in dhe Al-Kaedan me të paktën 9,13 milionë dollarë të ardhura.
Si një kthesë tragjikomike e rezultatit, në fabrikën e çimentos Lafarge u vendosën gjithashtu personeli ushtarak francez së bashku me ushtarët amerikanë. Ushtria franceze përdori të njëjtin objekt për të cilin Lafarge paguante terroristët dhe tani u gjobit. Siç dihet, për sa i përket mbledhjes së inteligjencës, autoritetet franceze përfituan nga marrëdhënia e Lafarge me DEASH-in dhe Al-Kaedën. Edhe pse kjo gjë kryesisht është injoruar, shteti francez ka përfituar edhe ushtarakisht nga Lafarge. Megjithatë, vetëm Lafarge u dënua me gjoba dhe konfiskim.
Në vitin 2019, nën udhëzimet e presidentit amerikan Donald Trump, ushtria amerikane u tërhoq nga lokaliteti sipas një marrëveshjeje të arritur me Damaskun dhe Moskën. Pas kësaj, aty u vendosën ushtarët rusë dhe forcat e regjimit. Me këtë ndryshim, SHBA-ja u tërhoq në lindje të Sirisë, ndërsa forcat ruse u zhvendosën në Munbixh dhe në lindje të Eufratit deri në vijën Tal Tamr-Qamishli. Që atëherë, ushtria ruse përdori të njëjtën linjë logjistike si ushtria amerikane, por në drejtim të kundërt, pra nga Munbixhi drejt kufirit irakian. Kjo linjë logjistike furnizon personelin rus dhe forcat e regjimit që janë dislokuar në zonat e mbajtura nga YPG-ja.
Fabrika e çimentos Lafarge në Siri financoi organizata terroriste që bënë krime kundër njerëzimit dhe strehoi ushtarë francezë dhe amerikanë. Tatimpaguesit duhet të dinë se çfarë ndodhi me lokacionin e fabrikës pas vitit 2014 dhe si dhe pse ky vend krimi u mbrojt dhe u përdor nga ushtritë franceze dhe amerikane. Për më tepër, hetimi aktual gjyqësor fokusohet vetëm në financimin e DEASH-it dhe Al-Kaedës, por fabrika e çimentos Lafarge financoi gjithashtu organizatën terroriste PKK. Fabrika u përdor për të furnizuar degën siriane të PKK-së me armë dhe municione.
[1] https://www.justice.gov/opa/pr/lafarge-pleads-guilty-conspiring-provide-material-support-foreign-terrorist-organizations
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.